E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne besojmë tek biznesi, besojmë tek tregu i lirë, me taksa të ulëta

15-06-2013 / Gazeta 55

Jozefina Topalli, takim me komunitetin e biznesit të Qarkut Shkodër

“Partia Demokratike është pro biznesit, ndërsa e majta është për rritjen e taksave”, është shprehur kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë takimit me komunitetin e biznesit të Qarkut Shkodër. Sipas saj, Partia Demokratike që i përket spektrit të djathtë, beson tek biznesi, përmes aktivitetit të cilit, komunitetit i vijnë shumë të mira. Në vazhdim, Topalli tha se “ne besojmë tek biznesi, besojmë tek tregu i lirë, ne besojmë se ju e menaxhoni dhe shfrytëzoni më mirë për të krijuar prodhim, punësim dhe të ardhura”.  "Partia Demokratike ka si prioritet kryesor punësimin. E para, se pa punësim nuk ke të ardhura dhe e dyta sepse punësimi është edhe dinjitet që të ndihesh mirë me veten tënde", theksoi Topalli. Para këtij takimi, ajo bëri një vizitë në fabrikën fasone me administrator Edi Telin, ku gjatë takimit me punëtoret në repartin e prodhimit, si dhe me drejtues të saj, nënvizoi faktin e hapjes së vendeve të punës si dhe uljes së taksave. "Së bashku kemi bërë shumë, por ende më shumë kemi për të bërë në katër vitet e ardhshme", tha nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e cila kryeson listën e kandidatëve demokratë për deputetë në Qarkun Shkodër. Ajo i bëri thirrje komunitetit të biznesit si dhe punonjësve të mos ngurojnë për të votuar Partinë Demokratike, numrin 44, sepse kjo garanton të ardhmen e sigurt të zhvillimit të vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›