E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi të japë llogari për privatizimet dhe vjedhjet e qeverisë, jo të bëjë komisarin e diktaturës

olldshiDeputeti socialist, Erion Braçe, i është përgjigjur akuzave të ministrit në ikje të Transporteve, Sokol Olldashi. Ky i fundit doli në një konferencë të posaçme për shtyp, për të denoncuar konferencën e PS-së për territorin dhe ekonominë.

Por, sipas Braçes, ministri në detyrë duhet të japë llogari për privatizimet dhe shitjet që ka bërë qeveria e tij, sidomos gjatë periudhës së fundit.

Unë mendoj se “ministri në detyrë” Sokol Olldashi duhej të përgjigjej për:

-Koncesionimin e terminalit të konteinerve në portin e Durrësit.

-Koncesionimin e terminalit të trageteve në portin e Durrësit.

-Shpërbërjen përfundimtare të portit të Durrësit si një ndërmarrje publike dhe dorëzimin e tij në duar privatësh klientë ekonomike.

-Rritjen e tarifave të shërbimit në portin e Durrësit.

-Nivelin e borxheve të marra për rikonstruksionin e portit të Durrësit dhe të shpjegojë se kush do ti paguajë këto borxhe.

-Rritjen e tarifës së shërbimit të kolaudimit të automjeteve me të paktën 10%, pa arsye e në kushtet e një shërbimi mizerabël, por monopol, ka thënë Braçe.

Deputeti socialist ka kërkuar llogari nga Olldashi edhe nën cilësinë e deputetit të Qarkut të Fierit.

Unë mendoj se “deputeti i rizgjedhur” Sokol Olldashi, në cilësinë e deputetit në qarkun Fier, duhej të pergjigjej për:

-Dhënien nga Qeveria ku ai është në detyrë të lejes për rishitjen e ARMO-s pa patur fare parasysh interesin publik dhe të punëtoreve.

-Dhënien me koncesion nga Qeveria ku ai është në detyrë të 9 vendburimeve të fundit të naftës dhe gazit në këtë Qark pa marrë parasysh interesin publik dhe të punëtoreve.

-Shpërbërjen përfundimtare të kompanisë Albpetrol si ndërmarrje prodhimi pa patur parasysh interesin publik dhe të mbi 3500 punëtoreve atje.

-Shitjen brenda parkut kombëtar të Divjakës prej Qeverisë të objekteve turistike, pronë e bashkisë Divjakë, ne shkelje të ligjit dhe pa patur parasysh interesin publik, thotë deputeti socialist.

Sipas tij, në vend të këtyre shpjegimeve, Olldashi doli si një komisar komunist dhe zbuloi grupin armiqësor

Në vend të shpjegimeve dhe përgjigjeve për këto çështje, ministri i qeverisë së mundur në zgjedhje doli sot para mediave njësoj si komisarët e diktaturës dhe zbuloi grupin armiqësor në urbanistikë që kishte ardhur në Tiranë- thelbin e Evropës për art, kulturë e pasuri, për të vjedhur bashkë me Edi Ramën, e mbyll reagimin e tij Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›