E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli Rama perdhosi sakrificen dhe perkushtimin e Policise

Ka reaguar Ministria e Brendshme në lidhje me akuzat e kreut Socialist Edi Rama ndaj efektivave të Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për mediat zëdhënësi i këtij dikasteri Leonard Olli u shpreh se Rama përdhosi sakrificën dhe përkushtimin e tyre në ruajtje dhe mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit. Sipas tij me këto sulme ai nuk do të mundë të mbulojë kurrë faktin se është politikani me lidhjet më të forta me krimin dhe botën e tij.

“Sulmet dhe përbaltja e Policisë së Shtetit në misionin e saj, janë provë e qartë e inkurajimit që ai kërkon t’i japë krimit. Këtë sulme janë prova të qarta të frikës që ka kapur atë dhe të gjithë elementët e inkriminuar, që ai mban rreth vetes. Alternativa e vetme që i ofron zoti Rama Policisë, për të përmirësuar marrëdhëniet me publikun, është shembulli i fëmijëve të Gramoz Ruçit dhe Luiza Xhuvanit. I kujtojmë zotit Rama se drejtuesit e korruptuar dhe të inkriminmuar, Policia e Shtetit i ka nxjerrë me kohë jashtë radhëve të saj dhe, sot, ata janë rreshtuar vetëm në krah të tij”- deklaroi Olli.

Më tej ai shtoi se Zoti Rama, para se të flasë për ruajtjen e mbrojtjen e pronës, duhet të japë llogari për vjedhjen dhe përvetësimet e pronave të mijëra qytetarëve të Tiranës, në kohën kur ishte kryebashkiak. Dhe për këtë, e ka marrë një përgjigje më 8 maj.
“I kujtojmë zotit Rama se vullneti i politik i kësaj qeverie e nxori Policinë nga bataku ku e kishte zhytur qeverisja e partisë së tij, i ktheu realisht dinjitetin e nëpërkëmbur, duke e zhveshur tërësisht nga inkriminimi.

Zoti Rama, Policia e Shtetit sot është një organizatë profesionale dhe bashkëkohore, e përkushtuar tërësisht në zbatim të ligjit dhe mbrojtjes së qytetarëve, jetës dhe pronës së tyre. Sot, Policia e Shtetit me profesionalizmin dhe rezultatet e shkëlqyera të saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, është një partnere e denjë e homologeve euro-atlantike”
Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare do të vijojnë të mbështesin pa rezerva strukturat e Policisë së Shtetit në misionin e tyre të shenjtë, garantimin e rendit e sigurisë publike, do apo nuk do zoti Rama dhe shpura e tij, në panik të plotë-përfundon deklarata e Ministrisë së Brendshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›