E Diel, 1 Nëntor 2026

Olmer: Palestinezët nuk patën guxim për marrëveshje

Tel Avivi-Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, ka akuzuar sot palestinezët për mungesën e guximit për të nënshkruar një marrëveshje paqeje me qeverinë e tij të deritanishme, që sipas tij, kishte ecur shumë në bisedime. "Ishim gati të nënshkruanim një marrëveshje paqeje, por, për fat të keq, palestinezët, nuk patën guximin ta bëjnë këtë. Bisedimet e paqes me palestinezët kishin përparuar shumë. Ato ishin më interesante dhe kishin përparuar më shumë nga të gjitha ato të zhvilluara nga çdo qeveri, përfshirë atë të Ehud Barakut në korrik të vitit 2000 në Camp David"- deklaroi kryeministri i deritanishëm gjatë një prej mbledhjeve të fundit të qeverisë së tij.

Kryeministri përshëndeti punën e ministres së tij të Jashtme, e cila kryesoi ekipet izraelite të bisedimeve. "Jam i bindur se asnjë qeveri (izraelite) e ardhshme nuk mund të zhvillojë bisedime pa bazat e vendosura nga Tzipi Livni"-deklaroi Olmert, duke theksuar se Izraeli duhet të "bënte lëshime të dhimbshme për të arritur në një marrëveshje paqeje.

Izraelitët dhe palestinezët kanë rifilluar në nëntor të vitit 2007 bisedimet e paqes në Anapolis (SHBA), nën drejtimin e ish-presidentit amerikan George W. Bush, i cili kërkonte arritjen e një marrëveshjeje përpara përfundimit të mandatit të tij.

Dhjetëra sesione bisedimesh janë zhvilluar në Jerusalem pa asnjë rezultat të dukshëm, pasi të dy palët akuzojnë vazhdimisht njëri-tjetrin si shkaktarë të krizës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›