E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olsen shpërblen Kadrin

Marten Olsen, selektori i Danimarkës, ka shpërblyer Bashkim Kadrin, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Odensen. Mesfushori shqiptar është ftuar në përfaqësuesen daneze për ndeshjen miqësore kundër Skocisë. 20 vjeçari nuk mund t’u besojë ende syve, derisa nuk mund ta përshkruajë assesi atë që ndien pasi mori këtë ftesë. Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 12:03

Paraqitjet e mira me Odensen në kampionatin danez dhe në Ligën e Kampionëve, por edhe ato me përfaqësuesen U-21 të Danimarkës në Evropian, e kanë shpërblyer Bashkim Kadrin.

Si rezultat i kësaj, mesfushori shqiptar është ftuar në përfaqësuesen A të Danimarkës për ndeshjen miqësore kundër Skocisë, të cilën ekipi skandinav do ta zhvillojë në mesjavë. 20 vjeçari, i cili pati një muaj fantastik, nuk arrin të besojë ende që është ftuar nga selektori Marten Olsen.

“Nuk po mundem të besoj ende, mendoja se ishte një shaka kur e kuptova këtë. Është një ndjenjë mjaft e çuditshme, por është fantastike. Është e vështirë ta përshkruaj se sa i lumtur që jam, ishte një javë fantastike”, ka thënë Kadri për ueb faqen tipsbladet.dk.

Për 14 muaj, ai ka bërë një përparim të hatashëm. Në atë periudhë ai luante në ligën e dytë daneze me ekipin B93. Pastaj i erdhi mundësia për t’u transferuar tek Odense dhe pati fat të madh.

“Natyrisht gjërat lëvizën shpejt, por unë do të mundohem t’i marr gjërat me qetësi. Kam punuar shumë gjatë stërvitjeve dhe jam munduar ta bëj lojën time. E kam pasur kurajon për të rrezikuar. Më kanë ndihmuar edhe shokët e skuadrës. E falënderoj edhe klubin që ma dha besimin”, shtoi Kadri.

Ai shënoi katër gola në gjashtë ndeshje këtë sezon me Odensen në kampionatin danez dhe në Ligën e Kampionëve. Kadri shënoi në ndeshje të rëndësishme si në atë kundër Panathinaikos dhe ndaj Brondbyt. ‘Djali i artë’ i Odenses e mori më në fund shpërblimin për punën e bërë.

“Është një arritje e madhe për të. Është zhvilluar shumë në gjashtë muajt e fundit. Kur arrinte në klub, ishte shumë larg njëmbëdhjetëshit startues. Mirëpo, ka punuar shumë dhe ishte njëri prej më të mirëve”, thotë shoku i tij i skuadrës, Andreas Johansson.

Edhe mesfushori me përvojë Hans Henrik Andreasen, po ashtu bashkëlojtar i Kadrit, mendon se ky i fundit u ftua me meritë nga selektori Olsen.

“Është plotësisht ftesë e merituar. Në ndeshjet e fundit ai ka demonstruar se po bën gjëra të rëndësishme në lojë. Kështu që e meritoi plotësisht këtë shpërblim”, thotë Andreasen.

Danimarka dhe Skocia do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore të mërkurën mbrëma dhe në këtë takim do ta ketë rastin të debutojë për ekipin bardh e kuq edhe mesfushori ofanziv shqiptar.

Nëse ndodh kjo, atëherë Kadri do të bëhet shqiptar i parë që vesh fanellën e Danimarkës. Deri më tani futbollistët shqiptarë përfaqësojnë Zvicrën, Suedinë, Finlandën, Norvegjinë, Malin e Zi, Kroacinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›