Olsi Jazexhi në Fax News: Trump kërcënon Iranin dhe ndjek skenarin e Venezuelës në rendin e ri ndërkombëtar

Studiuesi Olsi Jazexhi ishte i ftuar në emisionin Fax News, ku foli gjerësisht për zhvillimet e fundit në rendin ndërkombëtar dhe tensionet globale që po thellohen.
Gjatë intervistës, Jazexhi u ndal te situata në Iran, ku prej ditësh po zhvillohen protesta, duke theksuar se ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar drejtpërdrejt Teheranin. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një fushatë të ashpër sanksionesh ekonomike ndaj Iranit me synimin për ta nënshtruar politikisht dhe ekonomikisht regjimin iranian.
Ai shtoi se këto sanksione nuk kufizohen vetëm te Irani, por janë pjesë e një strategjie më të gjerë amerikane që përfshin edhe vende të tjera si Rusia dhe Kuba, të cilat konsiderohen si kundërshtare të rendit të udhëhequr nga Uashingtoni.
Sipas Jazexhit, Trump po ndjek të njëjtin model ndërhyrjeje që përdori më parë në Venezuelë, duke tentuar tani ta zbatojë edhe në Iran, përmes presionit politik, ekonomik dhe mbështetjes indirekte të destabilizimit të brendshëm. Ai paralajmëroi se këto ndërhyrje rrezikojnë të përshkallëzojnë konfliktet dhe të çojnë në pasoja të rënda për stabilitetin rajonal dhe global./faxweb