E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Olsi Rama s’ka lidhje me Xibrakën”, SPAK: Nuk ka asnjë provë për përfshirjen e tij në këtë dosje

Nga Blerina Cene

Ols Rama nuk ka lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Për Vizion Plus, zyrtarisht, SPAK shuan zërat për përfshirjen e vëllait të kryeministrit, Edi Rama në dosjen “Xibraka”, hetimet e së cilës u hapën pas informacioneve që deputeti demokrat, Gazment Bardhi i dërgoi Prokurorisë së Posaçme.

“Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, thuhet në përgjigjen e SPAK për gazetaren e Vizion Plus Blerina Cene..

Prokuroria Antikorrupsion thotë se ka bërë një sërë verifikimesh nga të cilat përjashtohet Ols Rama. Në këto kushte, SPAK ka pezulluar hetimet në 23 dhjetor të 2024.

“Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve”, thuhet më tej.

Por, për deklaratat publike të bëra nga deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Ols Rama e paditi atë për kallëzim të rremë. Laboratori i drogës në Xibrakë u zbulua në janar të 2015, gjatë një operacioni të policisë shqiptare në bashkëpunim me agjentët gjermanë.

Në fshatin Xibrakë, rreth 10 kilometër larg Elbasanit, u sekuestrua një sasi kokaine prej 100 kilogramë. Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë nëntë të pandehur, duke i dënuar me 104 vjet burg në total, mes të cilëve edhe Ermal Hoxhën, nipin e diktatorit Enver Hoxha. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›