Olson Lamaj fiton Ardhje

"Dy trupa" punë e Olson Lamajt
Valeria Dedaj
Për mënyrën se si janë trajtuar çështjet personale apo vetëm njerëzit me të cilët jeton, pra ajo çfarë ndodh në këtë vend, sepse imazhet tregojnë për atë dhe për vendin e tij, Olson Lamaj shpallet fitues i Çmimit Ardhje, konkursi i artit bashkëkohor. Lamaj 26-vjeçar i shkolluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, shpërblehet me një rezidencë gjashtëjavore në Nju Jork.
Puna e tij u vlerësua më e mira ndër katër artistë që erdhën deri në finale. Këta janë Olson Lamaj, Henrjeta Meçe, Yllka Gjollesha, Driant Zeneli dhe Alketa Ramaj.
Kuratori i ekspozitës Zef Paci thotë se përzgjedhja ndër 28 pjesëmarrës u bë në bazë të cilësisë së punës dhe të tematikës që ata trajtojnë, por dhe në bazë të vijimësisë së punëve të tyre në fushën e artit.
Një pamje përfundimtare e edicionit të gjashtë të Ardhjes u prezantua e plotë dje. Në mjediset e TICA-s në Tiranë, organizator i aktivitetit, ekspozohen tre video, rreth 13 fotografi dhe katër instalacione.
Olson Lamaj prezantohet me shtatë foto prej albumit të tij Shqipëria nga rruga. Lamaj e konsideron vetën si një qen që endet skutave dhe kap imazhe periferike të qytetit, që i kalojnë tangjent vëmendjes së njeriut.
Henrjeta Meçe merr pjesë Forma të ruajtjes, dy vizatime instalacion dhe Dialog në të cilën sjell eksperiencën bashkëkohore të udhëtimit të saj nëpër shumë vende.
Ka momente që imagjinata mund të të ngacmohet nga një lëvizje, por ka dhe momente kur hapësira të jep një imazh në të cilën ti e ke të pamundur të gjesh pikën e referimit. Këtë kërkon të shprehë Yllka Gjollesha në dy videot me titullin Soditje: Flamuri dhe Qetësi.
Driant Zeneli që jeton e krijon në Itali, merr pjesë në Ardhje me videon Disa thonë se është e thjeshtë të prekësh hënën dhe me një fotografi të 2011-s Xhamia në dëborë, ku tregohet një xhami e shtrirë në dëborë që qëndron mbi qytetin e Prishtinës, ndërsa 99 kupolat e saj të qelqta shërbejnë si kundërkulm i butësisë së dëborës që e rrethon. Alketa Ramaj sjell reflektim mbi strukturat mbajtëse që krijojnë njerëzit për të ndihmuar pemët e reja të rriten drejtë, sepse sipas Alketës, ato, jo gjithmonë rriten në drejtimin e duhur. Puna e saj e quajtur Rritëset janë dy instilacione dhe pesë fotografi.
Çmimi Ardhje u themelua në vitin 2007 nga TICA Instituti i Artit Bashkëkohor, Tiranë, në bashkëpunim me FCS Fondacionin për Shoqëri Civile në Nju Jork. Qëllimi i çmimit Ardhje është të promovojë dhe të dokumentojë arritjet më të mira të artistëve të rinj në artin bashkëkohor. Fituesi merr një rezidencë gjashtë javore në Nju Jork, rezidencë e siguruar nga FCS. Ekspozita e këtij viti u organizua nën kujdesin e profesorit të Historisë së Artit Zef Paci dhe koordiantores së programit T.I.C.A Alketa Kurrizo. Ekspozita rri hapur deri më 28 qershor.