Olta dhe Eralda, në filmin me vrasje

Filmi i ri shqiptar me seri, i titulluar “Millenium” pritet të nisë xhirimet më datë 18 mars në Tiranë.
Me skenar dhe regji të Besnik Bishës, filmi është mbështetur në një histori të vërtetë, të ndodhur para disa vitesh në kryeqytetin shqiptar, ku mbeti e vrarë një studente. Ndoshta ka shërbyer kjo histori për të krijuar intrigën e këtij filmi televiziv, ku do të mund të gjejnë veten jo vetëm shqiptarët, por dhe publiku i huaj.
Filmi është me pesë seri, një prodhim i Radio-Televizionit publik Shqiptar, me producent Martin Lekën. Piktore filmi është Orjana Kamberi, kostumografe Desantila Lika dhe drejtor fotografie, Leonard Qendro, transmetojne mediat shqiptare. Ndërkohë që aktorët protagonistë të përzgjedhur nga regjisori Bisha, janë vajzat: Olta Gixhari dhe Eralda Hitaj, karaktere të ndryshme që përfaqësojnë tipa të spikatur vajzash si nga pamja, ashtu dhe nga mënyra e interpretimit. /Indeksonline/