E Martë, 3 Nëntor 2026

“Onkologjiku”, Alimehmeti: Ministrja fshihet pas gishtit, përgjegjësia jo vetëm mbi 2–3 veta

Mjeku Ilir Alimehmeti ka deklaruar nga studio e RTSH24 se Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu po fshihet pas gishtit, duke thënë se është ndërmarrë hetim administrativ ndaj mjekëve për abuzimet në Spitalin e Onkologjikut.

Alimehmeti u shpreh se pas raportit të KLSH në gusht të 2023-shit, ministrja duhej të merrte një grup ekspertësh.

“Ja u morën në proces, ja u pezulluan nga detyra siç bëri ministrja, u zgjidh problemi?

A ka medikamente sot? U zgjidh problemi? A ka pajisje mjekësore funksionojnë sot, u zgjidh problemi? Jo, përkundrazi është bërë më keq se ka ashpërsim të dy palëve mjek-pacient. Kujt ja shpreh revoltë qytetari? Atyre mjekëve që janë sot në detyrë dhe krijon distancë.

Ne jemi këtu për të vënë pacientin në qendër?

Unë mendoj se pati mundësi të artë ministrja kur erdhi në detyrë, ishte e sapoemëruar, gjeti një situata ashtu si e gjeti dhe rastisi që raporti i KLSH doli në gusht. E kishte të gatshme për të bërë studimin dhe investigimin dhe në çast duhej të merrte një grup ekspertësh për tu marrë me këtë punë dhe doli që s’u bë asgjë. Edhe sot e ka këtë mundësi.  Ndërkohë fshihet pas gishtit dhe thotë: hetim administrativ.

Për çfarë na shërben në përmirësimin e trajtimit të kancerit? Unë e kuptoj ajo vjen nga administrata dhe kjo i duket e rëndësishme, por unë vij nga shëndetësia dhe për mua shëndeti është i rëndësishëm”, u shpreh mjeku.

Ky i fundit theksoi se përgjegjësi nuk duhet të mbajnë vetëm disa mjekë për të gjitha problematikat e sistemit shëndetësor.

“Në momentin kur kemi një situatë, kemi një buxhet shumë të ulët për Shqipërinë, kemi një përqindje më të ulët se vendet europiane. Kur OBSH na e tha në raportin e vjeshtës së kaluar se 60% e parave për shëndetësinë nga shqiptarët del nga xhepat, edhe këtë e dinim. KLSH na doli nxori një raport me të gjitha problematikat, me mungesën e pajisjeve, medikamenteve, së bashku me rekomandimet dhe detyrat për institucionet për t’u kryer, me një distancë 6-9 mujore nga raporti në raporti, ne dalim te një fenomen, episod 2-3 individësh, kemi të paktën 3 çështje të grupuara së bashku që është: një çështje po gjykohet, pacient që për kirurgji a janë spostuar nga publiku drejt proivatit për të përfituar para; medikamente që nga spitali mund të jenë spostuar drejt farmacive; prezenca e një pajisje ende e papërdorur, e pabunkerizuar që ,mund të lëshojë rrezatim dhe mund të kenë dëmtuar personel, pacientë e familjarë përreth.

Këto janë tre çështjet, po të shihni asnjë nga këta persona nuk është në këto tre çështje.

Sipër i është vënë ombrella e mesazheve që krijojnë revoltën. Disa mesazhe janë nxjerrë nga konteksti por këto gjykata do gjykojë, si qëndron e vërteta. Interesi publik s’duhet të kthehet në kureshtje publike.

KLSH na tha nuk ka asnjë raport monitorimi e vlerësimi. Mjeku është hallka  e fundit e zinxhirit. Si do bëjmë me kalkulimet, sa medikamente, duhen? Nuk i bën mjeku tenderat. Sa pajisje mjekësore duhen? Duhet t’i bëjë dikush tjetër këto llogari. Kur blini një aparaturë që mund të jetë rrezatuese, ku do vendoset? E vendosin strukturat.

T’i hedhim këto përgjegjësi në kurrizin e dy-tre vetëve kjo nuk shkon. Ne duhet të përmirësojmë sistemin të gjithë bashkë”, theksoi mjeku.

Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. Prokuroria zbuloi se pacientëve të sëmurë me tumor këta mjekë nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›