“Open Balcan” në ringun durrsak

“Open Balcan”. Ky ishte aktiviteti i boksit, që këtë të dielë u zhvillua në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Nga mosha 13 vjeç deri në 18 vjeç janë ngjitur në ringun durrsak, ndërsa zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Frederik Shoshi, për mikrofonin e Radio Televizionit Shqptar tregon dhe se si u organizua ky aktivitet.
“Është hera e parë që organizohet në qytetin tonë të Durrësit dhe shpresojmë që ta organizojmë dhe herë të tjera. Gjithçka ka ardhur falë Federatës Shqiptare të Boksit, presidentit të saj Florent Kalivopulli, ndërsda unë jam në rolin e zëvendëspresidentit. Nuk mund të lë pa përmendur dhe Bashkinë e Durrësit dhe Klubin shumësportësh Teuta për mbështetjen”, thotë zëvendëspresidenti Shoshi.
Por si janë përzgjedhur elementët e kombëtares së Shqipërisë? Ja dhe përgjigja e trajnerit Enton Kikrri
“Normalisht që ka dhe sportistë të tjerë, të cilët nuk kanë patur kundërshtarë. E si të tillë nuk janë thirrur as nga Federata Shqiptare e Boksit e as nga kombëtarja. Por në të njëjtën kohë as dhe nga organizatorët, të cilët bënë të mundur zhvillimin e këtij aktiviteti”, pohon Enton Kikrri.
Ndërkohë Shoshi kërkon që ky aktivitet të jetë i përvitshëm
“Do të zhvillohet çdo vit dhe shpresojmë që ta mbajmë dhe ta zhvillojmë gjithmonë në qytetin tonë”, tregon numri dy i Federatës.
E ndërkohë Kikrri ka bërë të ditur dhe shpresat e boksierëve shqiptarë në këtë aktivitet.
“Sot po shikojmë një aktivitet shumë të fortë. Kanë ardhur më të mirët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët janë sportistë cilësor nëpër arenat e ndryshme ndërkombëtare”, ka theksuar Kikrri.
Kryendeshja e “Open Ballkan” ishte dueli i Leo Xhangolit me serbin Vukajlović Vuk-Kruševac, të cilin e fitoi 17-vjeçari durrsak.
Leo Xhangoli që përfaqëson klubin Teuta dhe garon në peshën 80 kg, mposhti me pikë boksierin serb Vuk-Kruševac pas një ndeshje tepër emocionuese, ndërsa e hodhi ‘knock-down’ në raundin e tretë dhe fitoi me pikë 30-27.