E Martë, 3 Nëntor 2026

Promovohet regbia me shtatë

Promovohet regbia me shtatë lojtarë, e cila është dhe disiplinë olimpike. Gjithçka ka ndodhur të dielën pasdite në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, ndërsa Tirana, Iliria dhe Universiteti i Bristolit kanë matur forcat me tyre. Xhino Drangu, presidenti i Federatës Shqiptare të Regbisë, ka folur për organizimin e këtij aktiviteti

“Ky është një turne promocional për disiplinën e shtatëshit, e cila luhet dhe në Olimpiadë. Dhe janë pjesëmarrëse tre ekipe, dy shqiptare dhe një nga Anglia, pikërisht nga Bristoli”, shpjegon presidenti i Federatës Shqiptare të Regbisë, Xhino Drangu

A mundet që Shqipëria të jetë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” me këtë disiplinë?

“Ky është hapi i parë për shumë-shumë hapa të tjerë, por ai është qëllimi në të ardhmen”, nënvizon i pari i regbisë shqiptare.

Ndërkohë Orjon Jucja, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Regbisë, ka shpjeguar idenë e veprimtarisë

“Tani kemi dhe turnetë e regbisë me shtatë, që është dhe versioni me shtatë i këtij sporti. Kjo është vetëm e para. Do të kemi dhe aktivitete të tjera në vazhdim të vitit”, pohon Orjon Jucja.

Më e lehtë regbia me shtatë lojtarë, apo pesëmbëdhjetë?

“Në gjykimi tonë janë të dyja edhe të lehta, edhe të bukura për t’u luajtur. Kështu që në rastin konkret në bëjme edhe variantin olimpik me shtatë në mënyrë që të shpërndajmë dhe informacionin tek fëmijët, tek të rinjtë dhe të rriturit për këtë disiplinë të regbisë”, deklaron Jucja

E në tërë këtë iniciativë nuk ka munguar dhe mbështetja e institucioneve

“Mbështje ka. Pozitivitet ka në krijimin e sportit të regbisë në Shqipërisë. Dua të falënderoj të gjitha institucionet me në krye Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar”, ka përfunduar Jucja.  

Tanimë Federata Shqiptare e Regbisë bëhet gati për aktivitetin e radhës, që do të jetë në disiplinën me 15 lojtarë. E bëhet fjalë për miqësoren e 24 marsit ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi”, Shkodër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›