Opera “Silvano” në odeonin e Apolonisë
Në kuadrin e festivalit “Apolonia International Festival”, në odeonin e Apolonisë, sonte do të shfaqet premiera e operës “Silvano” të kompozitorit të mirënjohur italian Pietro Mascagni. Vepra është një bashkëprodhim trepalësh shqiptaro-italiano-grek. Kjo operë do të vij premierë falë një projekti të fondacionit “Jakov Xoxa”, shoqatës “Artistët Interprete” dhe Institutit Italian të Kulturës, dhe me mbështetjen e veçantë të Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ngjarja e operës zhvillohet në ditët tona, në një qytet të vogël bregdetar të Adriatikut jugor. Peshkatari Silvano ka qenë i shtrënguar, për rrethana të varfërisë, të bëhet kontrabandist dhe të largohet nga qyteti i tij, duke braktisur të afërmit dhe të fejuarën Matilda. Jeta si kontrabandist e çon kundër ligjit dhe shpejt shkon në burg. Pasi mbaron dënimin dhe merr faljen, Silvano mund të kthehet në shtëpinë e tij dhe tek e dashura. Por Silvano zbulon se Matilda, e fejuara, gjatë kohës së mungesës së tij, ka pasur një marrëdhënie dashurie me Renzon, peshkatar violent e agresiv. I verbuar nga xhelozia, Silvano humb arsyen dhe e qëllon për vdekje Renzon.
Opera “Silvano”, e shkruar në vitin 1895 (115 vjet më parë) nga Mascagni me porosi të shtëpisë botuese “Sonsogno”, e cila ia kishte propozuar kompozitorit këtë porosi, si një temë që zhvillohet në një qytet bregdetar, ku dallohet “aroma Adriatikut”, pas asaj “rustica-ne” të kryeveprës “Cavalleria Rusticana” dhe kjo e fundit, do ti bashkohej “Cavalleri-se”, për tu shfaqur të dyja sëbashku. Në një farë mënyre “e harruar”, kjo opera po ngjall një interes të veçantë sot. Me një muzikë që e dallon Mascagni-n, kjo opera është sërish një rikonfirmim i muzikës lirike, i ekspresivitetit të “verizmit” dhe i talentit të madh të autorit. Për t’u veçuar, është pjesmarrja e mbesës së kompozitorit të madh, Guia Farinelli-Mascagni. Kjo operë do të ngjitet në skenë me regji të Milto Kutalit dhe Guia Farinelli Mascagni, me skenografi të Eli Xoxës, ndërsa kostumet janë marrë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Mjeshtre e Korit, Suzana Turku dhe Mary Kostandinidou nga Greqia. Muzika e operës do të ekzekutohet nga “Apolonia Symphonic Orchestra”, kori miks Selanik, dirigjent Ettore Papadia, producent i shfaqjes Agron Xoxa, ndërsa drejtor artistik Agim Duro. Personazhet interpretohen nga Maria Monopoli në rolin e Matilde, Francesco Zingariello në kryerolin e Silvanos dhe më pas Sofia Kole (Rosa), Solen Alla (Renzo), Blerina Ruca. Premiera e kësaj opere në Shqipëri vjen me rastin e 65-vjetorit të vdekjes së kompozitorit të shquar italian Pietro Mascagni dhe 115-vjetorit të shfaqjes së parë në Milano në teatrin La Scala më 25 mars 1985. Projekti ndërkombëtar “Silvano” gjeti mbështetjen e MTKRS për arsye të shumta; mbështetja e aktiviteteve të turizmit kulturor; shtrirja e tij gjeografike që lidh në një trekëndësh lirik Shqipërinë, Italinë e Greqinë; pjesëmarrja artistësh brenda këtij trekëndëshi; promovimi i vendeve historike nëpërmjet realizimit të aktiviteteve madhore, etj. Në këtë sens, organizatorët e këtij projekti, kanë hartuar një kalendar, i cili përveç shfaqjes në Apoloni, parashikon edhe dy të tjera. Në datën 5 shtator në Piazza Duomo, në Cerinjola (Provinca e Foggia-s) dhe me 7 shtator, në Teatrin e Korfuzit (Greqi). Veçoria e këtij projekti është arritja e një marrëveshje të qëndrueshme (e cila do të firmoset si protokoll bashkëpunimi me 6 shtator në Foggia), e mbështetur nga Institucione të ndryshme qëndrore e lokale të Shqipërisë (M.T.K.R.S., Qarku Fier, Bashkia Fier, Bashkia Lushnje), të Italisë (Provinca e Foggia-s, Comune di Cerignola) dhe Greqisë (Prefektura e Korfuzit dhe Bashkia e Korfuzit). Në Shqipëri, ky projekt mbështetet edhe nga Instituti Italian i Kulturës dhe nga Fondacioni Grek për Kulturën. Projekti “NSDL Apolonia Festival” në 6-të Edicionet e tij (2005-2010), përveç institucioneve kombëtare e ndërkombëtare të lartpërmendura, realizohet në kuadrin e aktiviteteve UNDP-ART GOLD , si një ndër projektet e veçanta në fushën e kulturës dhe turizmit. Një kast artistësh brenda trekëndëshit Shqipëri-Itali-Greqi do të interpretojë; ku në rolet kryesore të Silvanos dhe Matildës vjen tenori e sopranoja italiane Francesco Zingariello e Mara Monopoli; e solistëve shqiptare, baritonit të ri Solen Alla dhe sopranos Sofia Kole. Do drejtojë orkestrën simfonike Apolonia dhe Korin Mix-Selanik, dirigjenti italian Ettore Papadia.
2 Shtator 2010