E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opera e lloçit

Lloç, ujë e mbeturina. Kështu duket, tash e dy vjet, hapësira ku do të duhej të niste të ndërtohej Teatri i Operës dhe Baletit ‘Ibrahim Rugova’.

Një gropë e madhe, sa një fushë futbolli, e mbushur me ujë, lloç e mbeturina, dhe e hapur dy vjet më parë, vazhdon të mbesë e tillë – një gropë lloçi. Përveçqë i tmerron të gjithë ata që kalojnë afër saj, asgjë tjetër nuk ndodhë përreth saj.

Nuk është ky ndonjë ndërtim që i filluar pa leje, dhe që në pamundësi të sigurimit të saj ka mbetur në këtë gjendje. Fjala është për Teatrin e Operës dhe Baletit ‘Ibrahim Rugova’, inaugurimi i të cilit ishte bërë qysh para dy viteve. Që prej atëherë, përpos që gropa e hapur është mbushur me lloç e mbeturina, s’është bërë asnjë punë tjetër. Madje dyshohet se Teatri i Operës as që do të ndërtohet fare në këtë lokacion, për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës në lagjen afër Fakultetit Teknik, në Prishtinë.

Se ky lokacion s’e ka stabilitetin e duhur gjeologjik e konfirmon për Express dhe Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës.

“Lokacioni që është caktuar, dhe ku kanë filluar disa punime elementare, nuk është i përshtatshëm në aspektin inxhinierik, sepse ky vend me sa duket s’e ka stabilitetin e duhur. Prandaj mbetet të shihet se si do ta zgjidhë këtë problem Ministria e Kulturës”, shprehet ai.

Jashari tregon se që nga fillimi i projektit, disa vite më parë, Filarmonia e Kosovës nuk ka qenë e implikuar në këtë projekt dhe as nuk është konsultuar në asnjë fazë të tij, edhe pse Filarmonia mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Jashari thekson se ky është një projekt i trashëguar nga ministrat e mëhershëm dhe, sipas tij, projekti nuk është adekuat e as i përshtatshëm, sepse ka mangësi në shumë sfera.

“Ajo që neve na intereson më së tepërmi është se ky projekt ka mangësi në aspektin e akustikës, e cila gjë e determinon kualitetin e një salle koncertale apo shtëpie operistike.

Shpresoj dhe vërtet dëshiroj që domosdoshmërisht, meqë këto konstatime kanë dalë edhe nga grupi i ekspertëve, të bëhet revidimi dhe të mendohet për vazhdimin e ndërtimit të këtij objekti tejet të rëndësishëm për kulturën kosovare. Por, me parametra të logjikshëm, të cilët do të garantonin ndërtim sa më të shpejtë dhe sa më cilësor dhe, natyrisht, shfrytëzimin objektit nga publiku për koncertet që do t’i përgatiste institucioni ynë”, përfundon Jashari.

E, sa i përket revidimit, këshilltari i ministrit të kulturës, Memli Krasniqit, z. Shasivar Haxhijaj pohon se kjo punë tashmë është bërë, dhe se gjetjet nga revizori janë, se projekti është përcjellë me defekte të shumta.

Sipas tij, Teatri i Operës dhe Baletit është njëri prej projekteve më kapitale që ka pasur ndonjëherë Ministria e Kulturës, dhe ai vazhdon të mbetet i tillë. Por, është edhe një prej projekteve që i kushton së shumti buxhetit të Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës.

“Duke pasur parasysh këtë, kemi kërkuar që revizori ta analizojë edhe njëherë gati gjithë projektin, ashtu që të shihen cilat janë mundësitë dhe a është gjithçka në rregull me projektin. Pas vlerësimeve që i ka bërë, revizori ka dalë me konkluzionin se projekti ka defekte pothuajse në të gjitha fazat e ndërtimit dhe në njëfarë forme na ka rekomanduar që s’mund të vazhdohet më tutje me këtë projekt”, sqaron Haxhijaj, sipas të cilit revizori ka nënvizuar në veçanti defektet në të gjitha fazat e ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Prandaj, sipas Haxhijajt, ato duhet të korrigjohen. E këtë, sipas tij, mund ta bëjë vetëm një komision i ekspertëve dhe profesionistëve.

Haxhijaj thotë se në fillim të vitit të ardhshëm do të formohet një komision, i cili do të bëjë vlerësimin e projektit, duke marrë për bazë edhe rekomandimet e revizorit.

“Besojmë se shumë shpejt, ose më mirë të them, në muajt e parë të vitit 2012 do të dimë se cila do të jetë rruga që do e ndjekim për realizimin dhe implementimin e këtij projekti”, pohon ai.

Në Filarmoninë e Kosovës të gjithë dëshirojnë që objekti të ndërtohet sa më parë. Por, nuk e besojnë se kjo do të bëhet brenda pak vitesh.

“Një teatër i tillë s’mund të ndërtohet para tri viteve, as në ndonjë kryeqendër europiane”, mendon Jashari, derisa shton se, përveç buxhetit të ministrisë edhe ndihmës direkte të qeverisë, sigurisht që duhet të involvohen edhe donatorët, meqë, siç shprehet, ky është vërtet objekt i kushtueshëm.

Projekti që fitoi në tenderin e parë kushtonte rreth 20 milionë euro, dhe Ministria e Kulturës asokohe kishte paraparë që për çdo vit të ndante nga një milion euro. Kjo i bie që Teatri të mos ndërtohet para njëzetë viteve.

Këtë mënyrë të financimit Jashari e konsideron një spekulim të udhëheqësve të MKRS’së së asaj kohe.

“S’do të kishte kurrfarë kuptimi e as efekti që të ndahen nga një milion euro në vit nga buxheti i Ministrisë së Kulturës. Krejt kjo ka qenë një spekulim ose një dokument joserioz, që po shihet se ka nevojë për revidim të plotë. Duhet të shikohen pozicionet e reja financiare dhe të bëhet një projekt që do të jetë më real, i kapshëm dhe më shpejt i ndërtueshëm”, tha ai.

Deri atëherë, opera e shumëpërfolur e Kosovës mbetet vetëm një gropë me lloç.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›