E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacionet, Ministri Nishani përgëzoi policinë

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, përgëzoi sot, në një konferencë shtypi, forcat e Policisë së Shtetit si dhe strukturat e hetimit të krimit për operacionet që realizuan në Tiranë dhe në Vlorë, duke arrestuar dy të dyshuar si autorë të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.

Ministri Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për bashkepunimin e qytetarëve me forcat e policisë, duke garantuar se, organet e rendit janë të angazhuara maksimalisht për sigurimin e rendit publik.

"Dua të shpreh falenderimet për qindra qytetarë që ofruan gatishmërine dhe bashkepunimin e tyre për strukturat e policisë në realizimin me sukses dhe arrestimin e këtyre dy autorëve të krimeve të rënda", tha ministri Nishani.

Kreu i ministrisë se Brendshme garantoi se "më e fortë do të bëhet angazhimi dhe ndërhyrja e strukturave të Policisë së Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë".

Një ditë më parë, në Tiranë, forcat e policisë ndaluan autorin e dyshuar të vrasjes së arkëtares së një dege banke në sheshin "Shtraus" dhe plagosjen e rëndë të rojes së kësaj banke.
Ndërsa në Vlorës, forcat e Policisë se Shtetit, ne bashkepunim me me oficerë të Policisë Italiane, ndaluan një të superkërkuar, i dyshuar si autor krimesh të rënda në Itali dhe Shqipëri dhe i arratisur vitin e kaluar nga një burg i sigurisë së lartë në Itali.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›