E Hënë, 2 Nëntor 2026

Operacioni SPAK–Finlandë kundër trafikut të drogës, “kokat” drejtonin nga Shqipëria. 9 të arrestuar, 2 në kërkim

Një operacion i përbashkët mes SPAK-ut dhe autoriteteve të Finlandës ka rezultuar në goditjen e disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Hetimi masiv në Finlandë nisi para dy vitesh, duke sjellë arrestimin e 55 personave dhe sekuestrimin e mbi 300 kilogramëve droge, e cila transportohej nga Spanja dhe Holanda drejt Finlandës. Autoritetet finlandeze zbuluan se drejtuesit kryesorë të këtij trafiku ishin shtetas shqiptarë, që vepronin nga Shqipëria.

Gjatë hetimit të përbashkët, me kërkesë të SPAK-ut, janë lëshuar 11 masa sigurie “arrest me burg”, prej të cilave janë ekzekutuar 9, ndërsa vijon puna për kapjen e dy të tjerëve. Nga 11 të arrestuarit në Shqipëri, 10 janë brenda vendit, ndërsa një tjetër është jashtë territorit shqiptar. Droga transportohej nga Spanja në Holandë dhe më pas në Finlandë kryesisht me kamionë.

Në Finlandë janë proceduar dhe dënuar 55 persona, përfshirë shtetas shqiptarë dhe të tjera kombësi. Kjo është hera e parë që grupet kriminale shqiptare fokusohen jo vetëm tek kokaina dhe kanabisi, por edhe tek trafiku i drogave sintetike, si amfetamina, ku sasitë e sekuestruara janë të konsiderueshme.

Rrjeti kriminal vepronte për vite me radhë, duke krijuar baza në Finlandë, ku dërgoheshin periodikisht persona nga Shqipëria për të zhvilluar aktivitetin e trafikut të drogës.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar automjete, telefona celularë dhe dokumente të ndryshme me rëndësi për hetimin, që faktojnë aktivitetet kriminale të grupit. Përveç hetimit penal, pritet të nisë edhe hetimi pasuror i personave të përfshirë.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se ky hetim shënon krijimin e njësisë së parë të përbashkët hetimore mes Shqipërisë dhe Finlandës.

“Operacioni në bashkëpunim me autoritete finlandeze, ky hetim shënon krijon njësinë e parë të përbashkët hetimore mes SPAK dhe Finlandës. Kemi goditur disa grupe kriminale për trafikun e drogës si kokainë, marijuanë etj.”, tha Dumani.

Nga ana e autoriteteve finlandeze, komisari përgjegjës për operacionin përgëzoi punën e SPAK-ut, duke vlerësuar hetimin e thellë që ka vijuar për dy vite.

“Përgëzojë të gjithë kolegët që u përfshinë në këtë operacion dhe uroj SPAK për punë  e jashtëzakonshëm të bërë në dy vitet e fundit. Një hetim masiv në Finlandë nisi dy vite më parë ku u arrestuan 55 persona dhe u sekuestruan 300 kg drogë që vinte nga Spanja dhe Holanda drejt Finlandës. Nga hetimi rezultoi se drejtuesi i kryesor i këtij trafiku ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria”, tha ai.

Prokurori i SPAK, Arben Kraja, u shpreh se ky bashkëpunim ka përfshirë një shkëmbim intensiv informacioni, duke zbuluar shtrirjen dhe rrjetin e shpërndarjes së drogës jashtë vendit.

“Pas konstatimit të shtetasve shqiptarëve të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikut të drogës në Finlandë u kontaktuam nga autoritet finlandeze dhe nisëm hetimi duke ngritur një skuadër të përbashkët hetimore. Hetimet kanë zgjatur dy vite rresht takime dhe shkëmbimesh informacioni të përbashkët. Shtrirja dhe shpërndarja e aktivitetit kriminal të shqiptarëve jashtë vendit”, tha Kraja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›