Operacioni antidrogë “Tempulli 2”, në pranga 273 persona, sekuestrohet lëndë narkotike dhe armë zjarri

Një tjetër operacion mbarë kombëtar është zhvilluar nga policia kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike. “Tempulli 2”, operacion i cili ka nisur prej disa javësh, është finalizuar me 66 hetime proaktive.
Peshën më të madhe të këtij aksioni e mban antidroga e Tiranës, ku janë me dhjetëra të arrestuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se në total në rang vendi janë kapur 273 persona, duke goditur 7 grupe kriminale që trafikonin dhe shisnin drogë kryesisht në zona urbane.
“Kanë iniciuar 66 hetime proaktive për goditjen e anëtarëve të grupeve kriminale. Janë marrë 295 urdhra ndalimi, vendime arresti si dhe 306 vendime kontrolli. Policia e Shtetit ka arritur që të finalizojë ndalimin dhe arrestimin në flagrancë për 273 shtetas. Kemi të goditur anëtarët e 7 grupeve kriminale”, tha Rrumbullaku.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se gjatë aksionit është sekuestruar një sasi e madhe droge si dhe armë zjarri.
“Sasia e lëndëve narkotike të sekuestruara është shumë e madhe krahasuar me pritshmëritë, ndërkohë që vazhdon puna jonë për të intensifikuar rezultatin edhe për sa i përket një momenti tjetër që është lufta kundër armëmbajtjes pa leje. Edhe gjatë këtij operacioni kemi një numër të konsiderueshëm armësh pa leje të sekuestruara”, tha Balla.

Të arrestuarit kishin baza të shpërndarjes edhe pranë shkollave dhe gjimnazeve të ndryshme, duke rritur rrezikun që përdoruesit të jenë adoleshentë.
Jo pa qëllim kemi zgjedhur të jemi pranë një shkolle të mesme sepse na duhet domosdoshmërisht ta rrisim prezencën tonë në territor për të garantuar shkolla të sigurta. Paketa e sigurisë në shkolla është një prej sukseseve tona të para e cila do të vazhdojë të konsolidohet.
Operacioni “Tempulli 2” vijon ende për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këto grupe kriminale./vizionplus.tv