Operacioni antidrogë në Krujë, asgjësohen rreth 5 mijë bimë kanabisi në zona malore

Operacioni kundër kultivimit të kanabisit është zhvendosur në zonat e thella malore të Krujës, ku forcat e Policisë së Tiranës dhe Krujës po zhvillojnë kontrolle intensive në terren që prej orëve të para të mëngjesit të së martës.
Sipas burimeve për gazetaren e RTSH, Flutura Tota, deri tani janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë bimë narkotike, të kultivuara në afro 100 parcela të shpërndara në zona të vështira për t’u aksesuar. Parcelat, sipas të dhënave paraprake, ishin organizuar në sipërfaqe të vogla me nga 50 deri në 100 rrënjë secila.
Bimët janë shkatërruar në vend, ndërsa hetimet po vijojnë për identifikimin e personave përgjegjës për kultivimin e tyre. Deri më tani nuk raportohet për të arrestuar, por policia ka arritur të identifikojë disa të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në operacion janë angazhuar 15 grupe efektivësh, të cilët po kontrollojnë zona të ndryshme malore. Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, me qëllim jo vetëm asgjësimin e parcelave me kanabis, por edhe goditjen e rrjetit që qëndron pas kultivimit të tyre dhe dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësve.
/rtsh.al/