E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni i policisë, pa lejen time

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi duket se është ndjerë shumë keq, kur mori vesh për ngjarjet që ndodhën të hënën në varrezat e Dragodanit. Për të ishte lajm trefish i keq. Albin Kurti nuk u kap, Policia injoroi propozimin e tij, derisa ceremonia e varrimit të veprimtarit të shquar, Ali Aliu u zbeh.

“Pavarësisht se Albin Kurti ka një urdhër për arrestim, ka dalë publikisht në komemoracion, në ceremoninë e varrimit, jo vetëm për hirë të traditës, por është edhe në vendet e tjera të botës demokratike, në ato raste nuk bëhen intervenime të tilla”, thekson Rexhepi.

Më parë, Rexhepi pranon për Express se ishte informuar nga Policia e Kosovës për këtë aksion. Dhe për ta kishte edhe një rekomandim.

“Kur më kanë informuar për planin, jemi marrë vesh... propozimi im ka qenë që kjo (arrestimi i Kurtit) mos të bëhet as gjatë komemoracionit, as gjatë varrimit, as në afërsi të varrezave”, thekson Rexhepi.

Ai vlerëson se Policia e Kosovës megjithatë është e obliguar të aplikojë urdhrat e gjykatave. Edhe pse, Rexhepi pranon se çështje e Albin Kurtit në esencë nuk është që është iniciuar nga vendasit, por nga UNMIK-u dhe është vazhduar edhe nga EULEX-i.

Rexhepi thotë se edhe në takim me Policinë e Kosovës i ka bërë këto vërejtje, pavarësisht vullnetit të mirë të policëve për të zbatuar ligjin. Sipas tij, Policia e Kosovës pritet të dalë me një analizë. “Jemi të përkushtuar të zbatojmë rendin dhe ligjin. E jona është t’i kryejmë obligimet që dalin nga kërkesa e prokurorit të gjykatës etj”, shton ai.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express....

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›