E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Operatori i Ujit”, Balluku: Reforma në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve si ajo në sektorin e energjisë elektrike

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se reforma në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve do të realizohet ashtu siç ndodhi me sektorin energjetik.

Duke iu referuar reformës në sektorin energjetik prej vitit 2013 e më pas, Balluku u shpreh se nga një rrjet i amortizuar dhe me humbje, sektori i energjisë ndryshoi rrënjësisht.

“Në Shqipëri kemi një shembull shumë të mirë që është sektori i energjisë elektrike, i cili u mor në të njëjtën gjendje në vitin 2013, me humbje që arrin deri në 50 për qind, që ne i quanim humbje teknike, por nuk bëhej fjalë thjesht për humbje teknike. Bëhej fjalë për vjedhje të energjisë elektrike, një rrjet të amortizuar dhe gjithçka tjetër për të cilën ne që të gjithë jemi në dijeni të plotë”, tha Balluku në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama mbi reformën në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, ku u prezantua edhe Operatori Kombëtar i Shpërndarjes së Ujit.

Sipas ministres Balluku, sikurse në sektorin energjetik, skema e funksionimit të kompanive të cilat ofrojnë shërbime jetike për vendin duhet të aplikohet edhe në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Kur të nisë faza e tretë më 1 janar 2027, sektori i ujësjellës-kanalizimeve do të ketë një ndarje të qartë mes prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me ujë.

Ajo shtoi se me krijimin e një Operatori Kombëtar të Ujit, problemi trajtohet nga thelbi.

“Duke pasur shembullin e sektorit të energjisë elektrike dhe duke pasur parasysh avancimin që ka bërë ky sektor, jo vetëm me aksionin e madh për ligjshmërinë të zhvilluar në vitin 2015, por edhe me ndryshimin e madh që pësoi në vitin 2019 me ndarjen e shoqërive si një kërkesë edhe e parimit të operimit të Bashkimit Evropian, ne sot kemi një skemë të qartë të funksionimit të kompanive të cilat ofrojnë shërbime jetike në vendin tonë, që duhet të aplikohet edhe në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Për këtë arsye, duke diskutuar me drejtuesit rajonalë dhe më të gjitha stafet që kanë njohuritë e duhura brenda Ujësjellës-Kanalizime, por edhe më gjerë, kemi arritur në rezultatin që krijimi i një operatori kombëtar i prodhimit të ujit do të na çonte në një nivel tjetër, pasi duhet kapur problematika nga thelbi”, tha më tej Balluku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›