Opinion/Skupja e Gruevskit si Belfasti i Fueres
Ky mendjeantiku i VMRO-së dhe kryeministër i guvernës, Nikolla Gruevski, ka nisur me yrysh e me vrap të bëjë punërat që i bën çdo pushtues me dredhi-të mbjellë simbolikën e pushtimit të vet, Që vjen me thënë – Të sundimit e të dominimit të vet mbi shqiptarë dhe të tjerë - në bashtinat që ishin dikur të Nënë Terezës, të Emin Agës dhe të Gajur beg Derrallës në shesh të Skupësë, kur ish “Skupja, gjytet-perendeshë” në kohë të Andrea Bogdanit dhe në vjershë të tij..
Mbjellja e dominimit si punë Europe/Mendjeantiku i VMRO-së e bën punën që i ka mbetur për ta bërë si pushtues-punën e fundme me yrysh-mbjelljen e simbolikës spaciale të pushtimit, atë që kanë mbetur pa e bërë gjer në fund guvernat e shkuara para tij. Rrokull këtij gjysmëshekulli e pak tutje, sa mban kjo kohë e ardhjes së tyre në këtë shesh të Skupësë, si i thoshin me të drejtë etërit tanë këtij pushtimi, guvernat e etërve të Gruevskit, jo me vrap po me hap, bënë punën e tyre Të Parë e “më të zorshme”(!) që e bën secili pushtues i mençur e mendjedredhak-Zaptuan sheshin e Skupësë, të Tetovës, Gostivarit, Kriçohës, Strugës, Dibrës, duke shkulur me pahir shqiptarët dhe Nga cepet ku ishin e ku rronin, erdhën dhe u ngulën shesh, në Sheshet Shqiptare. Antikët e Gruevskit, në “këtë hise Shqipërie që i thonë Maqedhoni”, si e la fjalë atdhetari, atdhetari i Shkretit, Josif Bageri.
Paskëtaj, ato guverna që mbajmë mend ne, bënë punën e dytë e të radhës prej pushtuesi, sikundër e bën secili pushtues i mençur e mendjedredhak-përzunë për në Stamboll njerëzinë tonë shqiptare tejendanë Maqedonisë, kjo njerëzi që bën tashi një Maqedhoni të tërë në Turqi, dhe paskëtaj njerëzinë tonë dhe në hisen tonë e bënë “pakicë” dhe veten e tyre, me shifra të rreme, në dheun tonë e shpallën me fjalë të rreme “shumicë”..!
Firmosja europiane e punës së ligë/Paskëtaj, bënë urdhër që të kthehen gjërat së prapthi - pushtimi të thuhet çlirim, e çlirimi të thuhet pushtim, dhe kjo u bë. Paskëtaj u qitën punë mendjetredhurve të haneve akademike që të stisin kronikat e rreme të ndodhjes së tyre antike këtu e ndër këto sheshe, dhe kjo u bë. Tashi do bëjnë dhe po bëjnë që këtë punë prej pushtuesi ta shesin si punë Europe, dhe kjo po bëhet. Se Irlandezit të mirë të Europës së kalbur, para se të ndreqet, Erwan Fuere, I Shket pena lehtë të hedhë firmën e puqjes së standardeve evropiane në bëmat nga hënëllisjet antike dhe barbare të mendjeantikut të VMRO-së.
Paskëtaj, futën kleçkat, futën pykat, futën kallauzin, futën “çlirimtarin” e rremë në Luftën e 2001 që të gënjejë, që të mashtrojë, që t’ua hedhë shqiptarëve - t’ua sjellë përunjen, duke mejtuar se bëjnë “çlirimin”…!!! Dhe, futën të drejtën për sundim, të drejtën për pushtim në Partallen e Ohrisë. Dhe, kur bëjnë tashi punën prej pushtuesi, si e bën secili pushtues i mençur e me dredhi, thonë që bëjnë punë europçe që hyn tamam në këllëf të Marrëveshjes (së tyre) të Ohrisë, ose në Partallen e Dredhisë dhe të Tradhëtisë të “Çlirimtarit” të rremë, si e kemi lënë fjalë ne.
Dhe, kështu vjen e bëhet e vjen e futet në këllëf barbarie Europa këtu ndër ne, kur irlandezi i mirë i Europës së kalbur ende pa u ndrequr, Erwan Fuere, hedh firmën për të quajtur barbarinë punë Europe dhe këllëf e puqje me standarde Europe, gjithë këto punë që mendjeantiku i VMRO-së, Gruevski i bën fët e fët dhe me vrap, gjersa njerëzia jonë bën dremitjen e thellë ndër këto mote.
Europiani Erwan Fuere kundër europianit Dr. Ibrahim Temo?/Dhe, njëditëzaj, kur do bëjmë dhe ne të bëjmë punën sikur duhet ta bëjë bën një i pushtuar i mençur dhe do mbjellim ndër anën tonë që na ka mbetur ndër të mëngjër të Vardarit; kur do bëjmë që dhe ne të mbjellim xhami mbi themelet e xhamive tona më të bukura ndër Ballkane që i prishi serb i dytë në motin 1924, dhe figurat tona kombëtare, lapidarë historie të qenë, dhe kur Skupja, ky “gjytet perëndeshë e regjinës Rodopeshë”, do t’i ngjajë Belfastit të Irlandës, nga na vjen edhe miku ynë i mirë, Erwan Fuere, ky ka të ngjarë që të hedhë prapë fjalën para mendjes e të na thotë si u kish thënë më 20 shkurt 2006 ca shqiptarëve në Strugë, se “mbani kujdes të mos ngrini buste që trazojnë paqen ndëretnike”, që vjen me thënë, të mos ngrini bustet tuaja që trazojnë rehatinë pushtuese të mendjeantikëve. Dhe, ka mbetur e shkruar ligsht kjo fjalë e tij, kjo fjalë pa godi e irlandezit të mirë që ka kohë të merret e t’i quajë europçe hënëllisjet antike dhe barbare të mendjeantikut Gruevski, po nuk ka kohën dhe ngenë të pyesë kush është ky shqiptar në bronx, ky Dr.Ibrahim Temo që xhonërit i thoshin „latinisti“,që vjen me thënë Europiani, që ish europian para se Zhan Mone të shpallte ëndërrën europiane, dhe që ish europian 100 vjet para irlandezit tonë të mirë,Erwan Fuere..!!!