E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me 28 qershor, do fitojmë thellë, se përballë kemi alternativën e nihilizmit

Punësimi dhe lufta kundër varfërisë, objektivat madhorë të mandatit të dytë të Berishës

Kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të nisjes së punimeve të rrugës Spitallë-Porto Romano ka premtuar që në 4 vitet që vijnë, qeverisja e tij do të ketë si moto “zero tolerancë ndaj varfërisë dhe mjerimit në Shqipëri”.

TIRANE - Kryeministri Berisha siguroi dje qytetarët e Durrësit se në 4 vitet e mandatit të dytë, në fokus të vëmendjes së qeverisë sërish do të jetë jeta dhe problemet e qytetarëve. “Punësimi dhe lufta kundër varfërisë, do të jenë ndër objektivat madhorë të qeverisë”, tha Kryeministri Berisha.
Këto deklarata Kryeministri Berisha i bëri gjatë përurimit që i bëri dje fillimit të punimeve për rindërtimin e rrugës Spitallë-Porto Romano.
“Në 4 vitet e mandatit të dytë, sërish do të jenë vitet e problemeve tuaja. Në këto 4 vite, ne angazhohemi që të sjellim ujin e pijshëm brenda shtëpisë së çdo shqiptare. Në këto 4 vite, ne angazhohemi që me sistemin e kanalizimeve të realizojmë pastrimin e plotë e përfundimtar të ujërave tona. Këto 4 vite, ne zotohemi të shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në rajon dhe më gjerë. Në këto 4 vite, ne zotohemi të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para çdo shkollë të vjetër në Shqipëri. Në 4 vitet që vijnë, ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë me shpejtësi rritjen e pagave dhe të pensioneve tuaja. Pra, problematika juaj është dhe do të mbetet programi i qeverisë së ardhshme”, u shpreh më tej Kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri është ndalur dhe te mundësitë që qeveria do të krijojë për punësimin e qytetarëve, duke premtuar se “Punësimi juaj do të jetë një nga objektivat më madhore të qeverisë. Gjatë këtij mandati, ne kemi punësuar rreth 80 mijë qytetarë shqiptarë. Unë ju premtoj se në mandatin e dytë do të punësojmë dyfishin e tyre”.
Kryeministri Berisha kishte parasysh rritjen e pagave dhe pensioneve kur deklaroi se “Lufta kundër varfërisë është një objektiv tjetër madhor. Në 4 vjet, ne nxorëm nga varfëria 200 mijë shqiptarë”.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha tha se, “Vetëm gjatë muajit maj, me dyfishimin e pensioneve në fshat, ne bëjmë që edhe 180 mijë qytetarë të tjerë, ndër të cilët 170 mijë në fshat dhe mbi 10 mije pensionistë me pensione të ndryshme në qytet, të marrin mbi 2 dollarë në ditë, pra, të dalin nga varfëria”.
Duke pasur parasysh dhe rritjen ekonomike që vendi ka pësuar, Kryeministri Berisha tha se “në 4 vite, ne, së bashku, nxorëm nga kthetrat e varfërisë rreth 400 mijë shqiptarë. Unë ju premtoj që në 4 vitet që vijnë do t’i japim varfërisë goditjen më të pamëshirshme”. Kryeministri Berisha theksoi se në 4 vitet e ardhshme do të ketë “Zero tolerancë ndaj varfërisë dhe mjerimit në Shqipëri”.
Kryeministri Berisha kishte parasysh alternativat që shqiptarët kanë për të zgjedhur kur deklaroi se “Sot, në Shqipëri, përballen dy alternativa. Alternativa e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nëpërmjet reformave dhe alternativa e mohimit të suksesit të reformave që anëtarësuan Shqipërinë në NATO”.
Duke kujtuar një tjetër sukses të madh të kësaj mazhorance, kandidimin e Shqipërisë për në BE, Kryeministri Berisha kujtoi se në vend qëndron “Alternativa e suksesit të reformave që bënë të mundur kandidimin e Shqipërisë në BE dhe nga ana tjetër, alternativa e mohimit të suksesit të reformave, sikur anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për kandidimin e Shqipërisë në BE të zbrisnin nga qielli dhe të mos ishin vepër e juaja, vepër e përbashkët e jona, realizim i ëndrrës dhe idealit tone”.
Duke pasur parasysh predispozitën e opozitës për të mohuar të gjitha sukseset e qeverisë, Kryeministri Berisha tha se “Sot, në Shqipëri, sërish përballen dy alternativa. Ajo e reformave dhe rezultateve të pamohueshme të tyre dhe tjetra, alternativa e nihilizmit, e mohimit të çdo gjëje”. Kryeministri Berisha kujtoi sërish qëndrimet opozitare ndaj reformave të qeverisë, kur u kërkoi të “Mos harroni se në kohën kur ne rrisnin pensionet, kundërshtarët tanë mohonin se pensionet po rriten. Në kohën kur ne rrisnin pagat e mësuesve, kundërshtarët tanë mohonin se po rriten pagat e mësuesve. Në kohën kur ne shkonin drejt NATO-s, kundërshtarët tanë organizonin mitingje proteste për të bllokuar procesin”, u shpreh Kryeministri.
I sigurt për fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit, Kryeministri Berisha kujtoi qytetarët se “Mandati i dytë po vjen. Zgjedhjet e qershorit po afrojnë. Le të punojnë të gjithë, së bashku, të rendim pas çdo vote, t’i kërkojmë votën çdo qytetari shqiptar”.
Sipas Kryeministrit Berisha votat për të djathtën do të vijnë nga çdo qytatar që beson se “anëtarësimi në NATO është ndryshim, dyfishimi i pensioneve në fshat është ndryshim, ndërtimi i rrugëve në mbarë Shqipërinë është ndryshim, shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e Shqipërisë është ndryshim, për kandidimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE është ndryshim, rritja e turistëve në Shqipëri nga 300 mijë në 2.7 milion vitin e kaluar është ndryshim”.
Në këtë mënyrë Kryeministri Berisha ka bërë një renditje të pikave më të forta të qeverisjes së tij ndër këto 4 vjet.
“Të gjithë ata, të cilët pohojnë këtë ndryshim, i ftoj të votojnë për ne. Të tjerët, ne me durim të vazhdojmë të thellojmë ndryshimin dhe t’i bindim se ndryshimi jemi ne, se ne po ndryshojmë Shqipërinë, se në 4 vitet e ardhshme Shqipëria do të jetë disa herë më mirë, më e bukur, më e zhvilluar, sesa është sot”, deklaroi Kryeministri, Sali Berisha.
I ndodhur në Durrës për përurimin e nisjes së punimeve për aksin Spitallë-Porto Romano, Kryeministri Berisha u kujtoi atyre se “Pak ditë më parë, ne inauguruam shkollën e re të Spitallës dhe u angazhuam para jush se së shpejti do të fillojmë rindërtimin e rrugës Durrës-Porto Romano”.
Referuar faktit se të gjitha rrugët e këtij qyteti i janë nënshtruar rikonstruksionit, Kryeministri Berisha u kujtoi banorëve se “Së shpejti, fillon nga ndërtimi nyja e Shkozetit, ndërsa terminali i portit është në ndërtim e sipër. Pra, në të katër anët e Durrësit po bëhen investimet më të mëdha, se në çdo kohë tjetër”.
Rruga me gjatësi 2.5 kilometra dhe gjerësi 16 metra, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 220 milion lekë. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë segment rrugor jetik, pasi lidh Durrësin me Porto Romanon, me parkun industrial dhe energjetik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›