Opozita: Do nisim protestat pas emergjencës nga përmbytjet
Opozita nuk do të zhvillojë protesta për hapjen e kutive të votimit deri ne përfundimin e situatës emergjente në zonën e Shkodrës për shkak të përmbytjeve. Partia Socialiste dhe aleatët e saj gjatë një takimi që ka zgjatur rreth 1 orë, ka vendosur të fokusojë veprimtarinë e saj në dhënien e ndihmës për banorët në zonat e përmbytura.
Kreu i PLD-së Spartak Ngjela pas takimit në një prononcim për mediat u shpreh se opozita do të presë normalizimin e situatës dhe më pas do të vazhdojë protestat për hapjen e kutive.
Nuk mund të kishim një axhendë normale për kutitë në situatën e vështirë që ndodhen banorët në Shkodër theksoi Ngjela duke shtuar se situata nuk është si pasojë e natyrës por si pasojë e keqmenaxhimit të qeverisë.
"Solidarizohem me fatkeqësinë dhe me gjithçka që ka të bëjë me shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe të mundohemi për të ulur koston e dëmit" theksoi Ngjela.
Ndërkohë kreu i PSD-së Skënder Gjinushi theksoi se pas normalizimit të situatës do të jetë edhe koha e nxjerrjes së përgjegjësive. Ai shtoi gjithashtu se me situatën e ndodhur nga përmbytjet ka dalë në pah edhe dështimi i kësaj qeverie.
Ndërkaq kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule theksoi se opozita do të jetë këmbëngulëse derisa sat ë ndërshkohet çdo përgjegjës për situatën e ndodhur nga përmbytjet.
"është momenti që të gjithë çdo qytetar të solidarizohen me banorët dhe llogaritë bankare do të jenë një motiv për qytetarët të japin kontributin e tyre" theskoi Dule
Ky ishte takimi i parë i partive opozitare për këtë vit, takim që vjen pasi këto parti kanë organizuar së bashku protesta në të gjithë qytetet e vendit për hapjen e kutive të votimit.