E Hënë, 2 Nëntor 2026

Opozita bojkoton, mazhoranca vijon pyetjen e dëshmitarëve në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë

Mbledhja e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi ka vijuar pa praninë e deputetëve të opozitës.

Këta të fundit kanë vendosur të bojkotojnë komisionet parlamentare dhe kanë shkaktuar tensione në Kuvend pas dënimit t ëish-deputetit Ervin Salianji nga Gjykata e Apelit.

Megjithatë, mazhoranca ka vijuar punën në komision dhe ka dëgjuar dëshmitë e personave që janë thirrur për të dhënë qëndrimet e tyre lidhur me këto konçensione.

Gazment Bejtja, i cili ka qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë prej 2007-ës, ishte i pari që u paraqit në Komisionin Hetimor, ku ka folur lidhur me koncensionin e check up apo kontrollin bazë shëndetësor.

Ai tha se financimet për kujdesin shëndetësor ka qenë në kuotën 2.8 % të GDP dhe në kushte të tilla partneriteti ishte një opsion, me qëlllim që bashkëpunimi mes publikut dhe jopublikut të arrinin në të njëjtin qëllim.

“Kontrolli mjekësor bazë është diçka që ka qenë e këshilluar, rekomanduar. Vende të ndryshme e kanë të organizuar në forma të ndryshme. Kontrolli bazë mund të ishte çdo vit, njëherë në 2 apo 3 vjet, për një fashë të caktuar të popullatës.

Vende të ndryshme kanë modele të ndryshme, në varësi të problematikave. Ne kemi thirrur shumë ekspertë nga QSUT, departamenti i mjekut të familjes, shërbimi endokrin, laboratorit, shëndeti publik, u thirrën grupe të ndryshme për të parë se çfarë testesh duhen bërë për këtë kontroll bazë, dhe më pas u përcaktuan edhe se si do të ndiqeshin.

Pra, nëse nga ky kontroll diagnostikoheshin me një problem të caktuar, nuk mund të liheshin në mes të rrugës, duhej të ndiqeshin. Ndaj dhe ky është një proces që vijon”, tha Bejtja.

Më tej Bejtja shtoi se nuk mund të pretendohet të kemi programe të njëjta si në Shqipëri ashtu edhe në Angli, pasi kemi të tjera situata.

“Por ne kemi studiuar modelet anglo-sanksone, por nuk kemi aplikuar të njëjtat skema”, tha ai. Bejtja shtoi se mjeku i familjes ishte pro aktiv në këtë proces, pasi rekomandonte se çfarë do të bëhej me pacientin pas diagnostikimit. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›