E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita braktis seancën

(E plotësuar) As gjatë vazhdimit të sotëm të mbledhjes plenare të Kuvendit të Kosovës, të cilën e kryesoi Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetët nuk arritën të zgjedhin një anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kjo ishte si pasojë e qëndrimit të grupeve opozitare (LDK, VV dhe AAK), të cilët qëndrimin e tyre bojkotues e arsyetuan duke thënë se të propozuarit janë të preferuar politik dhe u mungon përgatitja profesionale.

Këto grupe parlamentare mbështetën qëndrimin që të propozuarit për këtë pozicion t'i kthehen Qeverisë për rishqyrtim. Ata po ashtu paralajmëruan se në rast se nuk ndodh kjo, para se të fillojë votimi do të lëshojnë sallën e Kuvendit.

Pas një pauze, deputetët vazhduan përsëri me mbledhjen, me ç'rast grupet parlamentare mbanin qëndrimet e deklaruara më herët. Pas kësaj, kryekuvendari hodhi në votim mocionin e grupeve parlamentare LDK, VV dhe AAK, ku rezultoi se 35 deputet ishin kundër, 28 për, ndërsa tre abstenuan. Në këtë situatë, propozuesit e mocionit lëshuan sallën.

Veprimi i tyre bëri që të mos ketë kuorum të mjaftueshëm për vazhdimin e mbledhjes, e cila u ndërpre. Në mungesë të kuorumit nuk filloi as mbledhja e rregullt e Kuvendit, që ishte caktuar të mbahej sot.

...............................

Rekomandimi i Komisionit parlamentar për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës ka përplasur partitë në Kuvendin e Kosovës.

Partitë Opozitare po konsiderojnë që në kuvendë kanë shkuar emra politik të partisë në pushtet të propozuar për anëtar bordi të BQK-së.

Lidhja Demokratike e Kovës ka kërcënuar se do të lëshoj sallën në raste që nuk hiqen nga rendi i ditës emrat e propozuar.

“Ne konsiderojmë se janë propozime politike. Kjo nënkupton se ne nuk do të rrimë në sallë kur të fillon procesi. Sa herë që ka propozime profesionale ne do votojmë”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Edhe, Visar Imeri nga Vetëvendosje, ka thënë se VV-ja e sheh listën me emra si tendencë, që vjen nga qeveria për ti kontrolluar Institucionet.

Burim Ramadani nga AAK-ja ka thënë se nuk është hera e parë që Aleanca, konsideron se kjo forme punës e qet kuvendin në pozitë të pa lakmueshme. “Ne rekomandojmë se seanca të vendos për kthimin e kësaj pike, dhe të vazhdojmë më seancën tjetër”, tha Ramadani.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së Elmi Reqica, ka kërkuar nga grupet parlamentare të merren vesh, në mënyrë që të procedohet më tutje.

Më këtë rast, kryetari i Kuvendit ka kërkuar pushim prej 10 minutave, për konsultim.

Ndryshe, sot për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për zonat ekonomike, si dhe Projektligji për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë parë edhe pesë projektligje të tjera, të hequra nga rendi i ditës së seancës së shkuar: Projektligji për turizmin, Projektligji për investimet e huaja, Projektligji për produktet e ndërtimit,Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut, si dhe Projektligji për treguesit gjeografik.
Po ashtu do të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›