Opozita e bashkuar thirrje Ramës: Bëj transparencën e programit
Opozita e kryesuar nga PD, ndjekur nga forcat politike aleate PDIU, PR, LZHK dhe PD del në një qëndrim të unifikuar kundër hermetizimit dhe mungesës së transparencës së mazhorancës së majtë dhe Kryeministrit të saj Edi Rama lidhur me programin qeverisës. Pas një takimi për rreth 30 minuta në selinë e re të PD, Lulzim Basha, Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi, dhanë një konferencë të përbashkët për mediat, ku i bënë thirrje Kryeministrit Rama dhe mazhorancës së re të tërhiqen nga qëndrimi arrogant dhe konfliktual ndaj opozitës dhe të bëjnë transparencën e plotë të programit.

Patëm një takim me aleatët e PD, me të cilët diskutuam disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit të aktivitetit tonë si opozitë parlamentare dhe më gjerë. Në krye të diskutimeve ka qenë problemi në raport me punimet e Kuvendit paraditen e sotme, konstituimi i plotë i tij dhe i qeverisë së re. Opozita del me një qëndrim të unifikuar, që ka të bëjë me një nga interesat më themelore, interesi për transparencë dhe llogaridhënie me pushtetin e zgjedhur. Sjellja arrogante e mazhorancës është një problem i çdo qytetari shqiptar. Konstatojmë një mungesë të theksuar serioziteti tek Kryeministri i dekretuar, ka marrë për më shumë se një muaj kohë publike për të ndërtuar çdo lloj emërtimesh, konferenca , dreka dhe darka pa bërë transparencë për publikun. Kjo përkthehet në një programim të shkatërrimit të transparencës, përmes mungesës së programit të qeverisë. Çdo qytetar është kurioz të dijë se çfarë qëndrimesh do mbajë kabineti në raport me premtimet e bëra, si do bëhen legalizimet falas, shëndetësia, falas, heqja e TVSH, heqja e taksave për 95% të shqiptarëve? tha kreu i PD, Lulzim Basha.