E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kërkon mocion me debat për Onkologjikun, Spahia akuzon qeverinë për gropë në barnat tumoriale

Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bardh Spahia (PD), njoftoi sot se Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvend një kërkesë për mocion me debat me Ministren e Shëndetësisë.

Spahia ngriti shqetësimin për një situatë që e cilësoi “dramatike” në shërbimin Onkologjik në QSUNT, duke iu referuar raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi barnat tumorale.

Duke publikuar të dhënat e raportit të KLSH-së, deputeti Spahia theksoi se pasiguria për barna është sfida më e madhe për pacientët.

“46% ose 116 barna tumoriale të autorizuara dhe jetike për jetën e qytetarëve nuk janë importuar asnjëherë në periudhën e auditimit 2021–2025”, tha Spahia në deklaratën e tij.

Sipas opozitës, një shqiptar i diagnostikuar me sëmundje tumorale duhet të përballet jo vetëm me neglizhencën institucionale për terapinë, por edhe me mungesën e sigurisë për medikamentet.

Më tej, deputeti akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të fondeve, duke vënë në raport shpenzimet për koncesionet kundrejt investimeve në sektor.

Spahia shtoi se fondi i shpenzuar për 4 koncesione korruptive është sa dyfishi i të gjithë shpenzimeve për investime që ministria disburson në vit, duke lënë shërbimin publik në kolaps.

Ai shtoi se abuzimet dhe keqmenaxhimi në Onkologjik vazhdojnë, duke përmendur gjithashtu “qindra e mijëra barna të skaduara” dhe procedura prokurimi të dyshimta.

Në fund të deklaratës, Spahia, në cilësinë e kryetarit të Komisionit, u zotua se do të ndërmarrë “çdo nismë për të vënë para përgjegjësisë” titullarët që kanë përkeqësuar shërbimin, duke kërkuar garantimin e të drejtës për shëndet për çdo qytetar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›