E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i ri i qeverisë, krijohet “Grupi Akselerator” për përshpejtimin e projekteve me rëndësi të veçantë ose që kanë vështirësi të mëdha tekniko-ligjore

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim, i cili sjell ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e funksionimit të qeverisë. Qëllimi kryesor i vendimit, i cili të premten është botuar edhe në Fletoren Zyrtare, është përshpejtimi i procesit të miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore që konsiderohen me rëndësi të veçantë ose që kanë vështirësi të mëdha tekniko-ligjore.

Ndryshimi thelbësor është krijimi i një strukture të re të quajtur “Grupi Akselerator”.

Si do të Funksionojë “Grupi Akselerator”?

Sipas vendimit, ky grup do të organizojë takime bashkërenduese-konsultative, të cilat do të shërbejnë për të zgjidhur shpejt problemet dhe paqartësitë që dalin gjatë hartimit të projekt-akteve prioritare. Këto takime synojnë shmangien e zvarritjeve burokratike.

Përbërja dhe roli:

•     Kryesohet nga Zëvendëskryeministri.

•     Pjesë e Grupit janë Ministri/at propozues të projekt-aktit, zyrtarë të lartë të Kryeministrisë, si dhe Ministri apo titullari i institucionit që ka ngritur shqetësime teknike apo ligjore.

•     Në varësi të çështjes, mund të thirren edhe ekspertë të jashtëm ose titullarë institucionesh për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare.

Ministri propozues ka detyrimin të bëjë shënimin përkatës në dokumentin shoqërues, duke e vlerësuar projektaktin si “të rëndësisë së veçantë dhe me prioritet shqyrtimi”.

Nëse strukturat e tjera gjatë shqyrtimit ndeshen me vështirësi ligjore, ato mund të kërkojnë organizimin e këtij takimi të grupit akselerator për t’i dhënë zgjidhje.

Vendimi specifikon se rezultatet e diskutimit në këtë grup duhet të reflektohen me korrektësi në përmbajtjen përfundimtare të projekt-aktit, përpara se ai të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›