Opozita kërkon seancë dëgjimore me Kumbaron

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet u përfshi në debate gjatë mbledhjes së sotme ndërsa opozita kishte kërkuar seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro për masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor 2025 – 2026.
Kumbaro e pranishme në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kishte deleguar për seancën dëgjimore tre përfaqësues të ministrisë, por kjo nuk u pranua nga deputetët e opozitës.
Kryetari i Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, deputeti i opozitës Luçiano Boçi tha se kërkesa për seancë dëgjimore me ministren e Arsimit për situatën e fillimvitit shkollor buron nga nenet e rregullores së Kuvendit mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë. Fillimisht, ai uroi stafet akademike dhe studentët për nisjen e vitit të ri.
Boçi tha se viti i ri akademik hapet në një situatë të vështirë për arsimin e lartë në Shqipëri. “Një pjesë e madhe e degëve janë në rrezik mbyllje, ose me numër të kufizuar studentësh. Kjo situatë pasqyrohet edhe në pjesën e vlerësimit të pedagogëve. Pagat e pedagogëve nuk krahasohen as me rajonin, e jo më me Evropën. Reforma e Arsimit të Lartë ka treguar se ka dështuar plotësisht, ndaj duhet një angazhim i madh jo thjesht politik, por angazhim edhe nga vetë shoqëria, nga ndërhyrjet e domosdoshme që prekin të gjitha nivelet e vlerësimit të universiteteve”, tha Boçi.
Zëvendëskryetarja e Komisionit, Evis Kushi u shpreh se ky vit akademik i gjen studentët me arritje të reja, me kampuse universitare, me programe të dyfishta në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe me paga më dinjitoze për pedagogët.
Kushi u shpreh në emër të anëtarëve socialistë të komisionit se ministres Kumbaro i duhet lënë kohë për t’u informuar për pyetjet dhe shqetësimet pasi sapo ka marrë detyrën dhe ministria që mbulon ka një fushë veprimtarie shumë të gjerë.
“Ministrja ka sjellë një email ku ka informuar që në këtë mbledhje do marri pjesë zëvendësministrja me dy përfaqësues të tjerë. Ministrja ka informuar zyrtarisht dhe ne si kryesi e kemi diskutuar me ju kryetar. Ndërkohë që me të gjitha argumentet ne pjesa tjetër, kemi zgjedhur që mbledhja të zhvillohet me zëvendësministren. Ne si shumicë kërkojmë që ta hidhni në votë, dhe të vendosi komisioni”, vijoi Kushi.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha se ky vit i ri akademik nis me dramën e madhe të shpopullimit dhe auditorët bosh dhe një buxhet të papërfillshëm për kërkimin shkencor.
Punimet e Komisionit u ndërprenë për pesë minuta me kërkesë të zëvendëskryetares Evis Kushi, e cila kërkoi kohë për t’iu referuar nenit për të vijuar seancën dëgjimore me prezencë të zëvendësministres.
Kryetari i Komisionit Luçiano Boçi vendosi mbylljen e seancës dhe caktimin e një tjetër date për paraqitjen e ministres së Arsimit në seancë dëgjimore.
“Mbledhja nuk mund të vazhdojë, pasi jemi për të respektuar një rend dite. 1/3 e anëtarëve të komisionit bëjnë kërkesë me shkrim për prezencën e ministres së Arsimit në Komision sipas nenit 36 të rregullores së Kuvendit. Mbetemi në varësi të ministres për përcaktimin e një dite dhe ore që të paraqitet. Duhet të vendoset brenda tre javëve se kur ministrja do të paraqitet”, përfundoi Boçi.
/e.i/j.p/