Balluku: Bashkia e Fierit me 4 nënkryetarë të rinj, riorganizim i thellë dhe digjitalizim i proceseve

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është gjithashtu dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Fierin, prezantoi sot nënkryetarët e rinj të bashkisë së Fierit.
Gjatë prononcimit për mediet, Balluku theksoi se me një ekip të ri dhe të motivuar, Bashkia e Fierit është e gatshme të përballet me sfidat dhe të çojë përpara projekte ambicioze për qytetin.
“Kemi prezantuar 4 nënkryetarë të rinj, si pjesë e një procesi të nisur prej disa muajsh për riorganizimin e thellë të Bashkisë, duke përfshirë ndarjen e detyrave, digjitalizimin e proceseve dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve”, theksoi Balluku.
Balluku vuri në dukje se Fieri ka ndryshuar katërcipërisht, dhe se ndryshimet në administratën lokale janë të nevojshme për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave të qytetarëve, duke afruar shërbimet më pranë komuniteteve dhe duke përmirësuar mbulimin territorial të Bashkisë. /j.p/