E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita ngujohet në bulevard, nuk sheh asfaltin që po shtrihet kudo

Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij dje mbasdite në zonën e Peqinit, ka inspektuar rrugën që lidh autostradën Peqin - Elbasan, në komunën Gjoçaj. Kjo rrugë me një gjatësi prej 3.5 km. është ndërtuar me një investim prej 30 milionë lekësh nga buxheti i shtetit. Kryeminsitri Berisha tha, se “qeveria shqiptare po i mban premtimet që dha gjatë fushatës elektorale për investime në shëndetësi, shkolla , kanalizime dhe ujësjellësa, duke i pajisur komunat me një infrastrukturë moderne”. “Ftoj opozitën, të lërë bulevardet mënjanë, se përveç bulevardeve është edhe një Shqipëri tjetër, e cila po ecën drejt standardeve europiane”, tha Kryeministri Sali Berisha. I shoqëruar nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, ai zhvilloi dje mbasdite një vizitë në qytetin e Peqinit. Kryeministri ka vizituar kompaninë e ndërtimit “Euro-Teorema” në këtë qytet, e cila ka kryer investime në sektorin e prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe veçanërisht të parafabrikateve. Duke përgëzuar drejtuesit dhe punëtorët e kësaj kompanie për punën cilësore, Kryeministri Berisha, tha se “ajo është nga firmat e para ndërtimore në vend. Ajo ka 16 vjet që operon në Shqipëri në fushën e ndërtimit, parafabrikateve dhe infrastrukturës rrugore”. Berisha, e cilësoi firmën “Euro Teorema” , “një kompleks gjigand” në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës. Pas kësaj, Kryeministri Berisha përuroi ujësjellësin e komunës Gjoçaj. Për ndërtimin e këtij ujësjellësi, buxheti i shtetit ka investuar 11.5 milionë lekë. Kryeministri Berisha tha, se “zona e Peqinit është mjaft e rëndësishme në fushën e bujqësisë dhe të frutikulturës”.
Berisha: Granti i qeverisë, ndihmë e madhe për fermerët shqiptarë/Gjatë ndalesës në komunën Gjocaj, Kryeministri Berisha vizitoi një ndër fermat e njohura të kësaj zone në frutikulturë, të z. Petrit Peqini. Duke përgëzuar z. Peqini për këtë investim dhe suksesin e tij, Kryeministri theksoi se qeveria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë fermerët e rrethit të Peqinit, si një zonë e rëndësishme bujqësore e vendit. “Në këtë rreth, brenda dy viteve, me grantin e qeverisë janë mbjellë rreth 44 ha dru frutorë, sikundër janë bërë edhe investime të tjera ndihmë për gjetjen e formave më të përshtatshme ekonomike dhe më të sigurta të vaditjes. Janë bërë investime prej 30 milion lekë në kanalin e Pajovës, që do të vadisë rreth 500 ha tokë. Në këtë zonë janë mbjellë gjithashtu 280 ha perime. Ky është një rreth i fuqishëm bujqësor, me njerëz shumë punëtorë, që kanë punuar çdo pëllëmbë tokë”, tha Berisha. Në bashkëbisedim me fermerët, Kryeministri i siguroi ata se për shkak se skema e rimbursimit të akcizës së naftës nuk funksionoi, qeveria do të marrë masa të tjera për lehtësimin e kostos së prodhimit të tyre. Gjithashtu, kryeministri Berisha ka përuruar edhe përfundimin e punimeve të rrugës së komunës Përparim. Rruga 1.7 km e gjatë lidh komunën Përparim me autostradën. Më pas Kryeministri Berisha është drejtuar në komunën e Pajovës, ku ka marrë pjesë në përurimin e rrugës së kësaj komune me gjatësi 2.1 km, e cila lidh Pajovën me autostradën. Kryeministri Berisha ka vizituar edhe rikonstruksionin e kanalit vaditës Bishqem-Lazarem, me një gjatësi prej 4.7 km, investim i Bankës Botërore me një shumë prej 21.6 milion lekësh. Kryeminstri Berisha u premtoi banorëve të zonës, vazhdimin dhe përfundimin edhe të rrugës Carcabez-Baldushk-Tiranë, një aks rrugor ky mjaft i rëndësishëm për mijëra banorë të kësaj zone.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›