E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Decentralizimi fiskal, një hap më tej për kapacitetet investuese të qeverisjes vendore

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se “thellimi i proçesit të deçentralizimit fiskal do të rrisë më tepër kapacitetin investues të njësive të qeverisjes vendore”. Kreu i qeverisë informoi se “pas një pune të gjatë, që është bërë nga grupe të përbashkëta të bashkive dhe qeverisë, qeverive vendore do t'u kalohen nëpërmjet taksave, të paktën 12 miliard lekë të tjera”. Duke vlerësuar se ky është një zhvillim shumë pozitiv, Kryeministri Berisha vuri në dukje se “krijohet mundësia për një bashkërendim më të mirë të të gjitha përpjekjeve të qeverisë vendore dhe qeverisë qendrore, për një infrastrukturë moderne europiane për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se “mbledhja e Këshillit të Ministrave dominohet nga procesi i transferimit të pronave, proces që po ecën me shpejtësi në kuadrin e decentralizimit”. Duke vlerësuar punën intensive që është bërë në këtë drejtim, Kreu i qeverisë u shpreh se “ky proces duhet të kompletohet brenda pak kohëve”. “Nëpërmjet këtij proçesi kthehen tek komunat dhe bashkitë e vendit, mbi 600 mijë ha pyje dhe kullota, të cilat përbëjnë një pasuri të madhe për njësitë e qeverisjes vendore, por edhe një mundësi dhe potencial të madh zhvillimi”, cilësoi Kryeministri.
Prefekturat duhet të marrin kompetencat e pushtetit qendror/Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, idenë e fuqizimit të kompetencave të prefekturave. Kryeministri nënvizoi se procesi i dekoncentrimit do të njohë zhvillime shumë të shpejta, pasi siç u shpreh Kreu i qeverisë “nuk mund të ekzistojnë aparate të tëra administrative pa kompetencat e duhura”. “Pushteti ekzekutiv ka përfaqësuesit e vet dhe këta janë prefektët, të cilët janë të detyruar të funksionojnë mbi bazën e ligjit dhe të udhëzimit të qeverisë. Prefekturat duhet të njohin një fuqizim real dhe kjo do të ndodhë në radhë të parë duke marrë kompetencat e pushtetit qendror”, nënvizoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, ligji i prefektit është gati, por kërkohet ndjekja e procedurave të caktuara për t’u vënë në zbatim, ndaj në frymën e këtij ligji mund të hartohen vendime të caktuara të cilat hyjnë në fuqi më shpejt.
Reforma në gjendjet civile, Berisha ofron zgjidhje për komunat më të thella të vendit/Në komunat më të thella të vendit, ku zyrat e gjendjes civile janë disa orë larg, lëshimi i vërtetimeve dhe çertifikatave do të bëhet nga arsimtarët, të cilët do të pajisen me një laptop dhe kundrejt një shtese page, do t’u ofrojnë banorëve këto shërbime.
Kjo zgjidhje u propozua dje nga Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Sipas tij, me reformën e gjendjes civile, e cila ka qenë e domosdoshme për t'u përshtatur me lëvizjet e mëdha demografike të vendit, kanë ndodhur edhe disa zhvillime të padëshirueshme, pasi shërbimi i gjendjes civile është larguar me orë të tëra nga komunat më të thella të vendit. “Nuk do të hapen gjendje civile, por do të përgatisim arsimtarë, të cilët do të pajisen me laptopë, ku do të kenë të memorizuar të gjithë regjistrin e gjendjes civile të zonës dhe me një shtesë në pagën e tyre dhe me një orar të caktuar kundrejt asaj page, do të kryejnë disa nga veprimet më të shpeshta të gjendjes civile, në mënyrë që njerëzit të pajisen me vërtetime ose çertifikata”, tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, regjistrimi i fëmijëve ose aktet më madhore mund të kryhen aty ku i kanë aktualisht, por për lëshimin e çertifikatave apo vërtetimeve do t’i jepet e drejta mësuesve ose njerëzve me integritet, në mënyrë që t’u vijmë më afër banorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›