E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita pengese per marjen e statusit

Java që sapo nis konsiderohet e rëndësishme për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Më 10 tetor, Komisioni Europian pritet të bëjë publik progres-raportin për vendin tonë, në të cilin kryefjalë do të jetë vendimi për statusin e vendit kandidat. Vetë Komisioni Europian i ka dhënë klasës politike shqiptare 12 prioritete, nga të cilat kalon ky status. Deri më tani, janë plotësuar pjesa dërrmuese e tyre, ku qeveria ka pasur peshën dhe detyrën kryesore. Miratimi i Kodit Zgjedhor, votimi për Avokatin e Popullit, si dhe rekomandime të tjera tashmë janë përmbushur. 
Por, kanë mbetur ende pa u përmbushur prioritete të tjera, për miratimin e të cilave nevojitet edhe mbështetja e opozitës. Ndër to, kryesori është votimi në Kuvend i ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili për të kaluar në Parlament kërkon shumicë të cilësuar të votave. Pavarësisht se opozita ka pranuar rëndësinë thelbësore të kësaj nisme dhe e ka mbështetur atë në parim, ka kushtëzuar votën e saj me një kusht politik. Kryesocialisti Edi Rama, ka deklaruar prerazi se opozita nuk do të votojë nismën ligjore, madje e ka cilësuar si letër pa vlerë, deri në momentin kur të zbatohen vendimet e gjyqësorit për Qarkun e Fierit. Për mazhorancën, ky qëndrim nuk është gjë tjetër veçse preteksti i radhës nga opozita për të bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat. Madje, jo vetëm kaq, por shumica parlamentare e cilëson kushtin e opozitës si tentativa e saj e radhës për pazar politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›