Opozita për ndryshimin e komisioneve: Antikushtetues dhe i njëanshëm

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Opozita është shprehur kundër ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, duke e cilësuar atë një shkelje të hapur të Kushtetutës.
Pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ku u shqyrtua projektvendimi i Partisë Socialiste për ndryshimin e strukturës së komisioneve parlamentare, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi bëri të ditur se gjatë mbledhje nuk u arrit mirëkuptimi me deputetët e opozitës.
Gjatë fjalës në seancën plenare, deputetët e opozitës u shprehën se mazhoranca po vepron në shkelje të Kushtetutës, pasi ndryshimet në rregullore duhet të ndjekin të njëjtën procedurë që ndjekin projektligjet.
Kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi tha se vendi nuk është në gjendje lufte që ndryshimet të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.
“E shprehëm dhe në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit ndryshimet në rregullore ndjekin të njëjtën procedurë që ndjekin projektligjet. Fakt që ju e pranuat, sepse keni miratuar një vendim për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar. Në përputhje me Kushtetutën, me nenin 83, pika 2, i cili thotë se “Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një të pestës së të gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit”.
“Ajo që po tentoni të bëni, a thua se Shqipëria është në gjendje lufte, është tërësisht në shkelje të Kushtetutës. Po ndiqni një procedurë të parregulluar nga Rregullorja e Kuvendit. Ajo që parashikohet është procedura normale e projektligjeve. Kjo është Rregullorja e Kuvendit. E keni nisur detyrën me shkeljen e rregullores. Qytetarët duan të dinë arsyen pse ndryshon Rregullorja e Kuvendit. Nuk mundet të niset as detyra juaj, po shkelni Kushtetutën”, u shpreh Bardhi.
Edhe deputeti Oerd Bylykbashi theksoi se po shkelet Kushtetuta, teksa shtoi se duhet që ndryshimet në Rregullore duhet të diskutohen në Kuvend.
“Nuk lejon hapësirë më pak se 7 ditë nga moment i sotëm që është marrë vendimi për procedurën e përshpejtuar, që të fillojë shqyrtimi i saj. Nuk ekziston asnjë rrethanë, por edhe kur ekziston rrethanë Kushtetuta nuk e njeh. Kjo është shkelja e parë e Kushtetutës.
“E dyta, Rregullorja e Kuvendit duke detyruar ndjekjen e të njëjtës procedurës për shqyrtimin e ligjeve, e detyron Kuvendin që të ndjekë të gjithë procedurën, mbi të gjitha një nga elementët thelbësor të shqyrtimit që është debati publik në seancë. Është e drejtë e tyre dhe element thelbësor që ne duhet të bëjmë debat”, tha Bylykbashi.
Sipas deputetit të PD-së Rregullorja e Kuvendit është një akt legjislativ i këtij Kuvendi dhe më e rëndësishme se shumica e ligjeve që do të miratohen në këtë legjislaturë.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi mazhorancën se ka nisur sesionin parlamentar me një “shkelmim të Kushtetutës” dhe duke përjashtuar, çdo hapësirë demokratike dhe kushtetuese.
Berisha e cilësoi këtë veprim si një “provokacion të ulët” dhe një “puç institucional”, që sipas tij dhunon vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
“Akt i turpshëm! Çfarë do të thotë kjo? Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj, të krimit e keni atë, që silleni në këtë mënyrë? Prandaj dhe merr vendimin, mblidhi këshillat dhe të zbatohet Kushtetuta”, tha Berisha.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha se Partia Socialiste duhet të tërhiqet nga ky vendim.
“Duhet të rikthehet në diskutim të përbashkët për të gjithë aktorët politikë”, tha Xhixho.
Rregullorja e Kuvendit është një akt që miratohet me 71 vota.
“Çdo deputet ka të drejtë të paraqesë propozime për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. Për shqyrtimin e këtyre propozimeve ndiqet procedura e parashikuar në këtë Rregullore për paraqitjen dhe shqyrtimin e projektligjeve. Ndryshimet në këtë Rregullore miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 117 në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.
/m.q//r.e/a.f/