Opozita, protestë në Korçë: Kutitë e mbyllura, simbol i korrupsionit
KORÇË- Partia Socialiste ka nisur protestën e radhës në qytetin e Korçës, ku e mbështetur nga aleatët dhe shumë qytetarë kërkon hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Në fjalën e tij, kryetari i PS-së Edi Rama i bëri apel kryeministrit Berisha të mbajë larg duart nga kutitë. Rama ka theksuar se brenda kutive Berisha fsheh gjurmët e vjedhjes elektorale, ndaj dhe nuk do t'i hapë.
Ndërsa deputeti Pandeli Majko ka theksuar se PS nuk mund të heshtë për këtë heshtje të qeverisë që s'mund të vazhdojë më kështu.
Sipas tij, kutitë e mbyllura janë simbol i aferave të korrupsionit, simbol i keqqeverisjes së Shqipërisë.
"Në 20 nëntor të gjithë në Tiranë, bashkë, që të ballafaqohemi me qeverinë. 20 Nëntori fillimi i demonstrimit të madh të të gjithë shqiptarëve për hapjen e kutive"- tha ai.
Sipas kreut të PLD-së Spartak Ngjela se votën e shqiptarëve nuk mund ta mbajë të mbyllur një qeveri që nuk ka fituar zgjedhjet dhe e korruptuar. "Ne nuk jemi mbledhur këtu për t'u lutur, por kjo është një revoltë, sepse kjo është gjuha që qeveria ka dëshirë të dëgjojë" tha ai.