E Enjte, 5 Nëntor 2026

Opozita protestë para bashkisë së Tiranës me çadra “Lironi Berishën”

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partisë së  Lirisë, ndërsa grupimet opozitare kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit të 5 drejtorëve të bashkisë.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti është shprehur se, amnisti për ata që kanë abuzuar me fondet e qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë nuk do të ketë.

Teliti theksoi se, populli ka folur qartë me 11 korrik ku u dynd në shesh për të rikthyer demokracinë dhe lirinë për Shqipërinë.

“Si sot një javë më parë Tirana dhe Shqipëria foli qartë dhe forte që ne jemi në këmbë dhe do të qëndrojmë fortë për lirinë dhe demokracinë. Populli i Shqipërisë dhe i Tiranës amnisti për klientelizmin dhe korrupsionin nuk bën, nuk ka manitit për 131 milionë euro të zhdukur me vjedhjen e inceneratorëve”, tha ai.

Ndërsa aktori Mehdi Malkaj tha se “do mbrojmë atdheun dhe popullin shqiptar”.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh se, “për fat të keq sot kemi një sistem drejtësie të kapur, një kryetar SPAK-u që hajdutëritë e këtij krimineli i cilëson “krime intelektuale”. Po çfarë intelektuali mund të jesh kur ti shmang, Këshillin Bashkiak për t’i hapur udhën inceneratorit që nuk ekziston, një aferë korruptive, kur inceneratorin nuk e ke vendosur as në punë?!”.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumanin se e ka kthyer SPAK në një organizatë partnere të PS-së.

“Zyrtarisht PS-ja nga kjo javë, ka 3 organizata partnere, forumin rinor, forumin e gruas, dhe forumin e drejtësisë të drejtuar nga Altin Dumani. Pse po e them këtë? Mbrojtje dhe nënshtrim më të shpifur se sa ka bërë Altin Dumani ditën e hënë në seancën parlamentare për 4 orë duke mos dhënë asnjë përgjigje. Nuk kemi parë kurrë një prokuror që të dalë e të raportojë për bilancin e punës së tij dhe në 99% të përgjigjeve të thotë se ‘nuk shprehem dot se kjo çështje është nën hetim”, tha ai.

Protestuesit mbanin çadra me mbishkrimin “Lironi Berishën”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›