E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita serbe: Të ndryshojë politika ndaj Kosovës

Në Beograd, forca opozitare serbe kanë kritikuar politikën e qeverisë së presidentit Tadiç ndaj Kosovës dhe janë angazhuar për raporte të reja mes Prishtinës e Beogradit.
Kreu i partisë Liberaldemokrate, çedomir Jovanoviç, ka thënë se angazhohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës e cila, sipas tij, është e pranueshme për serbët e atjeshëm. Edhe analistët serbë parashikojnë ndryshim të politikës së Beogradit për shkak të synimeve për t'u integruar në familjen evropiane .
"Partia Liberaldemoktrate nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që jetojnë në këtë vend. Unë do të angazhohem për njohjen e asaj pavarësie të Kosovës që është e pranueshme për serbët në Kosovë. Sot Kosova është e pavarur për 22 vende anëtare të Bashkimit Evropian, sot Kosova është e pavarur për 70 vende. Me siguri se Kosova do të pranohet në Kombet e Bashkuara. Sot ka më shumë mbështetje statusi i Kosovës për të cilin angazhohet Prishtina sesa statusi i Kosovës për të cilin insistojmë ne," - tha çedomir Jovanoviç.
Edhe nënkryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç, është i mendimit se diplomacia serbe ka hequr dorë nga politika për Kosovën që mori mbështetjen e parlamentit serb.
"Partia Përparimtare Serbe konsideron se politika e pushtetit në Serbi është shndërruar në marketing, fotografim dhe makijazh dhe më nuk ekziston politikë e Serbisë për asnjë çështje. Në të vërtetë, nga njëra anë kemi fjalë boshe e të rrjeshme se si do të fitojmë në Kombet e Bashkuara, kurse vetëm, shtatë ditë më vonë pranohet se një fitore e tillë potenciale gati është e pamundshme," - tha Aleksandër Vuçiç, duke iu referuar një prononcimi të këtyre ditëve të shefit të diplomacisë serbe Vuk Jeremiç se është mision gati i pamundshëm që rezoluta e Serbisë të marrë dritën jeshile të Asamblesë së Përgjithshme.
Ndërkaq, analistët në Beograd, parashikojnë se herët a vonë ka për të ndryshuar politika serbe ndaj Kosovës dhe kjo, për shkak të aspiratave për tu integruar në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›