E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita vijon bllokimin e tre ligjeve në parlament, por jep votat për 3 marrëveshje

21-02-2013 / Gazeta 55

Topalli kërkon të bindë deputetët e PS, që të votojnë ligjet e integrimit: 2/3 e juaja s’do jenë deputetë pas 23 qershorit, votoni ligjet dhe hyni në histori

Partia Socialiste bashkoi votat me mazhorancën sot në Kuvend, për ratifikimin e 3 marrëveshjeve, por sërish refuzoi të votojë 3 ligjet e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Tre projektligjet “Për ratifikimin e ndryshimeve të Konventës “Për mbrojtjen fizike të materialeve bërthamore”; “projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për financimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes”, si dhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së themelimit të Bankës së Detit të Zi për Tregëti dhe Zhvillim”, u miratuan me unanimitet.
Ajo që spikati ishte se opozita nuk shfaqi asnjë interes për për 3 ligjet e Komisionit Europian, të përfshira në rendin e ditës. Sërish, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ftoi opozitën që të votojë ligjet e statusit, por pa ia dalë të bindë grupin parlamentar socialist, edhe pse mesazhi për ta ishte tepër i qartë; “mbylleni me nder, sepse 2/3 e juaja s’do jenë më në listën e deputetëve të PS”. “Ju votoni me konsensus ligjin për armët bërthamore dhe nuk votoni 3 ligjet për statusin. Bllokoni miliona euro për pushtetin lokal, miliona euro për bujqësinë. S’keni për të qenë deputetë treçereku juaj, votoni se ka për t’ju mbetur peng të shpirt apo nuk kanë shpirt...?! Keni për të mbetur në histori. Bëhuni burra se 10 vetë na duhen, votojmë ligjet dhe marrim statusin..., por edhe t’ju heqim nga lista do hyni në histori. Gabim e keni si të doni”, tha Topalli.
 
Ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit dhe dy projektligjet për Gjykatën e Lartë dhe Nëpunësin Civil mbeten në rendin e ditës.
Në vijim, me kërkesë të deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, Kuvendi zhvilloi dy interpelanca me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, lidhur me ligjshmërinë e procesit të privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, si dhe lidhur me situatën në sistemin elektroenergjetik shqiptar, veçanërisht pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për heqjen e licencës kompanisë CEZ Shpërndarje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›