E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogjani: Rama po nëpërkëmb punën dhe djersën e militantëve të PS

21-02-2013 / Gazeta 55

Deputeti i PS sqaron pozicionin e tij në rrjetin social “Facebook

Pas debateve me tone të ashpra me kryesocialistin Rama një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar deputeti Asllan Dogjani sqaroi pozicionin e tij në faqen e tij të rrjetit social “Facebook”, duke thënë se pret që Rama të reflektojë.  

Por deputeti i qarkut të Kukësit, nuk i ka ndalur akuzat ndaj Ramës, ashtu si një ditë më parë në mbledhjen e grupit, kur i tha se ishte i papërgjegjshëm dhe jo i pazëvendësueshëm. “Në këtë takim u informova se nuk ishte marr as mendimi i kryesisë së partisë. Gjithashtu kërkova të mos nëpër këmbët puna, kontributi dhe djersa e socialistëve kuksian, pjesëmarrja nëpër mitingje dhe demonstrata duke sakrifikuar familjen, energjitë dhe disa prej tyre edhe shëndetin si pjesëmarrës në grevën e urisë”, citohet në sqarimin e tij.  

Më pas deputeti i PS, Dogjani shkruan se Edi Rama e ka emëruar kryetarin e Partisë Socialiste të Kukësit pa marrë mendimin e forumeve. 

E po në të njëjtën mënyrë ka vendosur dhe për të mos e kandiduar më atë në Kukës. “Kam kërkuar se si është e mundur që t’i lihet në dorë një njeriu që të diktojë për çdo gjë pa marr parasysh opinionin e strukturave, qytetarëve dhe vlerësimin e punës se gjithsecilit. Në fund të diskutimit nuk u arrit asnjë konkluzion por ne do vazhdojmë të kërkojmë që të mbrohen vlerat dhe parimet. E dimë që jemi në prag të zgjedhjeve por besoj që transparenca do i jap më shumë fuqi Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme dhe e drejta do fitojë”, shkruante Dogjani. 

Sqarimin e tij deputeti i Kukësit e mbyll duke thënë se është ne pritje te reflektimit nga ana e kryesisë dhe kryetarit te partisë për te gjitha zhvillimet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›