E Diel, 1 Nëntor 2026

Orët e numëruara për Ari HanDilemma e zëvendësuesit mban peng njoftimin. Gjithësesi pranohet zhgënjimi nga holandezi. Federata ka vendosur ta shkarkojë, zyrtarizimi është vetëm çështje ditësh. Pritet të ndodhë këtë javë

Një gjë është e sigurtë. Në 6 qershor në ndeshjen kundër Portugalisë në stolin e përfaqësueses nuk do të jetë trajneri Ari Han. Ky i fundit duket se përfundimisht ka zhgënjyer krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët në ditët në vijim do të zyrtarizojnë divorcin me të. Një mbledhje e zhvilluar ditën e shtunë mes disa nga krerëve më të mëdhenj në FSHF, e drejtuar nga presidenti Duka duket se ka sjellë një përfundim: holandezi nuk duhet të drejtojë më Shqipërinë. Për kënaqësinë e të gjithëve, të cilët sidomos pas ndeshjes me Danimarkën kishin ushtruar presion në FSHF që një gjë e tillë të ndodhte një orë e më parë.

Zhgënjimi – presidenti Duka, i cili ka të drejtën ekskluzive, jo vetëm për ta emëruar trajnerin, por sigurisht edhe për ta shkarkuar atë pas ndeshjes, në Danimarkë ishte mjaft i zhgënjyer. Daljet e tij publike kanë qenë të shpeshta dhe në njërën prej tyre ka thënë thjesht që: “e di që ka shumë të pakënaqur nga trjaneri, por nuk dua të nxitohem”. Katër ditë pas ndeshjes së Kopenhagenit, që kurrësesi nuk ishte vendimtare, por i vuri kapak një rrjedhjeje ngjarjesh që ishin “kundër”, presidenti i FSHF-së ka pasur një takim privat me disa nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, konsulentë të përhershëm personal në lidhje me vendime fatale për përfaqësuesen dhe futbollin në përgjithësi. Një takim i cili nuk ka pasur debate në një pikë. Trajneri për nga mënyra se si shkuan gjërat dhe për klimën e krijuar nuk duhet të vijojë më punën si kuqezi.

Zyrtarizimi – Federata po stepet ta bëjë zyrtar një vendim të tillë, për një arsye shumë normale. Zëvendësuesi i Hanit është një problem shumë delikat. Pika e parë është çështja financiare. FSHF sigurisht do të dëshironte që Han të jepte vetë dorëheqjen (një gjë në dukje krejt logjike) në mënyrë që të kursehen të paktën 80 mijë euro. Megjithatë kjo duket e pamundur. Trajneri, jo vetëm që nuk ka dhënë shenja dorëheqje apo dorëzimi, por purkundrazi ka premtuar se në të ardhmen do të bëjë një Shqipëri më të mirë. Askush nuk e beson dhe vështirë se edhe ai vetë e beson një gjë të tillë. Në kushte të tilla duhet operuar me kujdes. Tre ndeshjet e mbetura nuk japin shumë garanci suksesi. Edhe sikur të ishte një trajner, vështirë se mund të arrijë objektivin e madh. Danimarka, Suedia dhe Portugalia janë skuadra që lehtësisht mund të parashikosh humbje.

Alternativat – sigurisht që dy janë pistat kryesore. Një trajner shqiptar është një temë e ditës. Megjithëse emrat rreth e rrotull nuk janë shumë prestigjozë, FSHF ka si opsion ndoshta vendosjen e një trjaneri shqiptar deri në fund të këtyre eliminatoreve. Më pas do të mendohet për një revolucion në të gjitha planet dhe do të mendohet sigurisht edicionin e ardhshëm. Kjo duket edhe forma më e “shëndetshme”. Marrja e një trajneri të huaj ka disa rreziqe. E para do të kishte një kosto të lartë financiare. Trajneri i huaj nuk do të pranonte të drejtonte vetëm këto tri ndeshje dhe afrimi i tij me një kontratë që parashikon edhe edicionin e ardhshëm mund të ketë shumë të papritura.

Han – Trajneri Han sigurisht nuk është njoftuar ende zyrtarisht për atë që FSHF ka ndër mend të bëjë. Zgjedhja e trajnerit të përfaqësueses është pëlqyer fillimisht nga komuniteti futbollistik. Me një CV të pasur, pavarësisht se dyshimet ishin se në asnjë skuadër nuk kishte krijuar një cikël, fakti i të qënit një ish futbollist i madh dhe shumë i njohur në arenën ndërkombëtare, bëri që në përgjithësi njerëzit e sportit dhe tifozët e thjeshtë të besonin se Han mund ta dërgonte Shqipërinë edhe një hap më përpara. Ashtu si kishin bërë dy parardhësit e tij, Brigel dhe Bariç. Han nuk e realizoi një gjë të tillë dhe Shqipëria futbollistike për fat të keq në arenën ndërkombëtare humbi disa vende në “sport dhe në imazh”.

E Marte, 07 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›