E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizatat e reja ekstremiste përbëjnë një kërcënim

Organizatat e reja ekstremiste në Ballkan janë duke operuar krahas grupeve ekstremiste ekzistuese dhe mund të përpiqen të ndryshojnë kuadrin politik dhe ligjor për t'iu përshtatur axhendave të tyre, paralajmëruan analistët.

Analistët pajtohen se "ekstremizmi i ri" në Ballkan mishëron fenë, etninë dhe neo-nazizmin, ilustruar më së miri nga Agimi i Artë i Greqisë.

Të reja apo tradicionale, organizatat ekstremiste janë aktive në promovimin e axhendave të tyre, por edhe janë reaguese në kërkimin e mundësive politike, tha Abit Hoxha, studiues në Qendrën për Studime të Sigurisë në Prishtinë.

"Kohët e fundit, organizata që përfaqësojnë ideologjitë ekstremiste kanë rritur aktivitetet e tyre në rang global po ashtu dhe në Ballkan. Mjetet me të cilat ato kryejnë aktivitetet e tyre kanë ndryshuar me përdorimin e kanaleve të komunikimit modern" tha Hoxha për SETimes.

Lëvizjet e reja islamike në Kosovë të tilla si Bashkohu, Forumi dhe Paqja Studentore nuk janë kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin e Kosovës, por mund të jenë nëse ato bëhen më aktive politikisht, tha Hoxha.

"Megjithatë, kjo varet nga mundësitë politike që mund t'u jepen atyre", tha Hoxha.

Hoxha paralajmëroi se qeveria dhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm.

"Mospërfshirja në proceset politike nuk prodhon rezultate të mira në një demokraci", tha ai. "Prandaj është e rëndësishme t'u jepet atyre një shans brenda kuadrit ligjor. Çdo gjë jashtë kuadrit ligjor në Evropë është e dëmshme dhe e rrezikshme".

Organizatat e reja ekstremiste nuk janë bërë protagoniste kryesore për shkak të pranisë së madhe ndërkombëtare në Ballkan, që ka penguar konfliktin, tha Ardian Arifaj nga instituti KIPRED i Kosovës.

"Ata në këtë mënyrë kanë mohuar bazën për dhunën e përhapur", tha ai për SETimes.

Arifaj thotë se nëse organizatat ekstremiste nuk arrijnë të bindin qytetarët se ato janë të fokusuar në zgjidhjen e problemeve dhe jo vetëm po shesin retorikë nacionaliste, ato nuk do të bëhen aktorë kryesorë në formimin e zhvillimeve politike.

"Për të ndryshuar dhe ndikuar në jetën në vendet e tyre përkatëse, ato duhet të ndryshojnë dhe të shkojnë më afër qendrës për t'u bërë protagonistë në jetën politike", tha ai.

Në Shqipëri, pranvera arabe ringjalli lëvizjet islamike, dhe modeli i Vëllazërisë Myslimane është aplikuar në vend dhe në rajon, tha Ilir Kulla, ish-kreu i komitetit qeveritar të Shqipërisë për fetë.

"Ndikimi është pasqyruar në rajonin tonë nëpërmjet programeve akademike, biznesit dhe fesë, si dhe politikës. Deri më tani, nuk ka pasur lëvizje të vërteta ekstremiste të këtij lloji, dhe është bërë përpjekje me qëllim legalizimin e tyre politikisht dhe shoqërisht", tha Kulla.

Por Kulla tha se mungesa e autoritetit të shtetit, shoqëruar me korrupsionin e përhapur dhe dobësimin e strukturave shtetërore si pasojë e krizës ekonomike, kanë ndikuar në aftësinë e rajonit për të ndaluar rritjen e lëvizjeve islamike.

Nga ana tjetër, shumë prej ekstremistëve tradicionale janë transformuar dhe tani janë në pushtet, tha Arifaj.

Në Kosovë, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në qeverisje, ndërkohë që një degë e grupit në Maqedoni tani është pjesë e koalicionit qeverisës. Në Serbi, politikanët të cilët dikur mbështesnin radikalizmin, të tillë si anëtarët e reformuar të kohët e fundit të Partisë Radikale, janë gjithashtu në pushtet.

"Këto organizata të vjetra tradicionale ekstremiste ende lulëzojnë, por tani janë transformuar. Veprimtaria e tyre ka vazhduar dhe ndikimi i tyre është rritur", tha Arifaj.

Megjithatë, mjedisi në të cilin ato veprojnë në të gjithë rajonin ende mbetet terren pjellor për ideologjitë dhe organizatat ekstremiste, shtoi ai.

Etno-nacionalizmi dhe shovinizmi tradicional shprehur përmes pretendimeve agresive për zgjerim territorial, rishikimin e kufijve dhe spastrim etnik, janë ende gjallë, thanë analistët.

"Ekstremizmi tradicional doli nga gjendja e tij e komës për shkak të mungesës së perspektivave konkrete në BE-NATO për Ballkanin Perëndimor".

Andreja Bogdanovskit, studiues në institutin ANALITIKA në Shkup, tha për SETimes se ka një tendencë nga faktorët më të mëdhenj politik për të përdorur retorikën nacionalisto-shoviniste në fushatat zgjedhore.

"Efekteve negative infektuese shtrihet tek aktorët më vegjël ekstremistë të cilët, në fund të ditës, ndjehen të fuqizuar", tha ai.

Një përjashtim i dukshëm është lëvizja neo-naziste Agimi i Artë në Greqi, e cila mban 18 vende në parlament dhe popullariteti i saj është në rritje.

"Në periudhat e rënies së rëndë ekonomike, elektorati mund të kthehet në drejtim të opsioneve për zgjidhje të shpejta", tha Bogdanovski.

Në një mjedis të tillë, aktorët politikë si Agimi i Artë, por edhe të tjerë, promovojnë një retorikë të ngarkuar nga ana etnike dhe fetare ndërmarrin fushata dhune.

"Me 18 vende në parlament dhe mbështetje në rritje, ekstremizmi i këtij lloji duhet të trajtohet përmes institucioneve greke duke dërguar një mesazh të qartë se nuk ka vend për veprimtari të tilla në shoqërinë greke", tha Bogdanovski.

Në Serbi, grupe ekstreme të djathta kanë qenë të pranishme në arenën politike që nga fillimi i viteve 1990, por as institucionet shtetërore nuk mund ose nuk duan të përballen me ata, tha Isidora Stakiç, studiuese në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë.

"Kjo mënyrë e paevitueshme çon në rritjen e mëtejshme të ekstremizmit të krahut të djathtë", tha Stakiç.

Stakiç tha se krahu i djathtë i ekstremizmit në Serbi sot ka karakteristikat të përbashkëta themelore të së djathtës evropiane radikale, por gjithashtu ka edhe elemente që janë rezultat i krizës socio-politike dhe konflikteve etnike në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990.

"Faktorë të shumtë kanë kontribuuar në rritjen e të djathtës ekstreme, të tilla si diskursi nacionalist dhe i ashtuquajturi normalizim i nacionalizmit, revizionizmit historik, marrëdhëniet shtet-kishë dhe, mbi të gjitha, shteti i dobët dhe mungesa e sundimit të ligjit", tha Stakiç.

Disa nga organizatat më të shquara të krahut të djathtë në Serbi janë Obraz, Nacionalni Stroj, Dveri dhe SNP Nasi 1389. Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë të paligjshme Obraz dhe Nacionalni Stroj, por dy të tjerat janë të njohura nga shteti si aktorë legjitimë politikë dhe marrin pjesë në qeveritë lokale.

Analistët pajtohen se disa prej organizatave të vjetra ekstremiste aktive në vitet 1990 nuk janë domosdoshmërisht aktive sot, por ideologjia e tyre ende ushtron ndikim.

"Ata nuk gëzojnë mbështetje të gjerë në mesin e popullatës apo partive politike", tha Bogdanovski.

Nga ana tjetër, Stakiç tha se organizatat ekstreme të djathta përbëjnë një kërcënim serioz për të drejtat e njeriut dhe demokracinë për shkak të përfshirjes së tyre në dhunë të vazhdueshme.

"Ndikimi i tyre reflektohet më mirë në mënyrën me të cilën institucionet shtetërore i perceptojnë dhe i trajtojnë ato. Procedimet penale kundër anëtarëve të këtyre organizatave janë jashtëzakonisht të ngadalshme dhe joefikase, dhe politikanët shmangin haptazi dënimin e krahut të djathtë ekstremist. Disa prej tyre bashkëpunojnë me organizatat ekstreme të djathta në nivel lokal", tha Stakiç.

Në mënyrë të ngjashme, Hoxha tha se ndikimi i organizatave ekstremiste të reja është sistematik dhe i rëndësishëm, dhe kjo kërkon që qeveritë të reagojnë më mirë ndaj çështjeve në komunitetet më të vogla, ku ka mundësi të madhe që ekstremistët do të përfshihen në dhunë.

"Organizatat ekstremiste janë shumë më fleksible dhe përshtaten tani që është më e vështirë për shtetet që të reagojnë dhe të reformohen për shkak të një numër rregullash dhe procedurash", tha Hoxha. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›