Orientim familjar në votim, të rinjtë flasin për zgjedhjet dhe programet elektorale

Radio Televizioni Shqiptar pyeti disa prej të rinjve të cilët do t’u drejtohen për herë të parë kutive të votimit në zgjedhjet e 11 majit.
Për ta, ky akt konsiderohet i rëndësishëm, ndërsa procesin e votimit e njohin edhe prej familjarëve.
“Votën e shoh një proces të rëndësishëm pasi përveçse ushtroj të drejtën time si qytetare, di të jap edhe kontributin tim në shoqëri. Nëpërmjet votës përcaktoj se cilët janë ata kandidatë të cilët mund të përfaqësojnë vendin dhe janë në shërbim të vendit tonë”, u shpreh e reja, votuese për herë të parë.
“Jam i lumtur pasi fjala ime tanimë nuk ka vetëm peshë, por ka edhe vlerë sepse është një hap më pranë ndryshimit të Shqipërisë”, shprehet i riu.
“ E diskutojmë edhe në shoqëri, politikën, votën dhe i kam sugjeruar të votojnë”, shprehet një tjetër.
“ Votoj për herë të parë dhe besoj se do vijoj të votoj sa herë të zhvillohen zgjedhje. Nuk kam emocione pasi e kam mësuar procesin nga familja. Po ashtu edhe diskutimi me mësuesit”, shprehet i riu.
Bisedat në familje mbi programet elektorale janë të shpeshta, por të rinjtë e pyetur e dinë mirë se cilat janë çështjet për të cilat ata kërkojnë zgjidhje.
“Jam njohur kryesisht nga rrjetet sociale, për më tepër bisedat në familje. Arsimi dhe shëndetësia janë pikat të cilat mendoj që duhet t’i kishim ezauruar me vite. Më vjen mirë nëse mendojmë që nuk është vonë”, shprehet e reja.
“Programet që kanë të bëjnë me rininë, ato më prekin më shumë“, tha i riu.
“Mendoj që shumica duan të shkojnë të votojnë, sepse edhe nga programet që kemi parë, një pjesë e tyre kanë gjëra efektive për të rinjtë”, tha një tjetër.
“Me premtimet që kanë dhënë, mendoj se jemi të përfshirë. Shpresoj që kjo të realizohet”, tha e reja, votuese për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit.
Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë nisur tashmë programin e edukimit zgjedhor për më shumë se 20 mijë maturantë që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/