E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Origjina e COVID-19, ambasadori amerikan, Burns: Kina duhet të jetë më e sinqertë

Ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns, i ka bërë thirrje këtij shteti që të jetë “më i sinqertë” për origjinën e koronavirusit. Komentet e tij kanë ardhur teksa po fliste në një ngjarje të Dhomës së Tregtisë së SHBA, një ditë pasi doli lajmi se Departamenti i Energjisë vlerësoi jo me bindje se pandemia vdekjeprurëse, COVID-19 ka të ngjarë të ketë origjinën nga një rrjedhje laboratori në Kinë. Nga ana e tij Pekini nuk ka qenë bashkëpunues me përpjekjet për të hetuar këtë çështje.

Në disa studime tjera që janë kryer në të kaluarën, është thënë se Covid-19  mund të ketë kaluar nga kafshët te njeriu, në një treg me ushqime të detit në Uuhan të Kinës.

Ndërsa, Ministria e Jashtme kineze ka thënë si reagim se origjina e virusit “i përket shkencës dhe nuk duhet politizuar”.

Për koronavirusin u raportua për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Uuhan të Kinës. Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën, ndërsa Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave.

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›