Orkestra Simfonike e RTSH vjen me një mbrëmje të veçantë ku sjell repertorin klasik e bashkëkohor

Orkestra Simfonike e RTSH ngjitet në skenë me një tjetër mbrëmje të veçantë muzikore, duke ftuar publikun më 6 maj 2026, në orën 20:00, në hollin “Gjon Simoni”.
Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, koncerti premton një udhëtim artistik të pasur, ku ndërthuren eleganca klasike dhe tingujt bashkëkohorë.
Në qendër të kësaj mbrëmjeje qëndron solistja Jonela Golemi, e cila rikthehet para publikut pas një sërë suksesesh, duke interpretuar “Concertino për flaut dhe orkestër” nga Cécile Chaminade.
Një vepër virtuoziteti dhe ndjeshmërie që nxjerr në pah potencialin dhe finesën e instrumentit të flautit.
Programi vijon me “Mores Redux” nga Pablo Ortiz, duke sjellë një frymë moderne dhe eksperimentale, për të kulmuar me energjinë e pashtershme të Simfonisë Nr. 7 në La maxhor nga Ludwig van Beethoven, një nga veprat më të njohura të repertorit klasik botëror.
Me një karrierë të vlerësuar dhe çmime të rëndësishme, Jonela Golemi mbetet një nga emrat më të spikatur të muzikës klasike shqiptare, duke mbajtur aktualisht edhe rolin e Flautit të Parë në Orkestrën Simfonike të RTSH.
Kjo mbrëmje muzikore sjell një kombinim të veçantë emocionesh, nga delikatesa franceze te ritmet bashkëkohore dhe madhështia e Beethoven-it, duke premtuar një përjetim artistik të paharrueshëm për publikun.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/