Premiera e baletit “Carmen” në TKOB

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Baleti “Carmen” pati premierën mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e primabalerinës së mirënjohur Anbeta Toromani.
“Carmen” u shkrua si opera nga kompozitori francez Zhorzh Bize, por me kalimin e viteve vepra u transformua edhe në balet nga një numër i madh koreografësh të mirënjohur. Premiera e mbrëmshme mbushi plot sallën e TKOB, dhe publiku mirëpriti këtë balet dramatik që solli në Tiranë edhe një herë Anbeta Toromanin si protagoniste.
Baleti ishte premierë në të gjithë komponentët e tij si koreografia e Amedeo Amodio-s, qasja e re muzikore e Giuseppe Calì-t, skenografia dhe kostumografia e Luisa Spinateli-t. Përveç trupës së baletit të TKOB, ishin dhe dy artistë të ftuar: Alessandro Macario dhe Luca Curreli, të cilët interpretuan përkatësisht në rolet e Don Jose dhe Escamillos.
Anbeta Toromani do të interpretojë “Carmen” edhe mbrëmjen e sotme (5 maj), ndërkohë që shfaqja do të vijë edhe në 9 dhe 10 maj, me kastin e dytë që janë Dion Gjinika, Adela Muçollari dhe Sabina Maklekaj.
“Carmen” (1875) nga Georges Bizet është një operë në katër akte me libret nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy, bazuar në romanin e Prosper Mérimée. Ajo tregon historinë tragjike të Don José, një ushtarak i joshur nga cigania Carmen, i cili braktis karrierën e tij për Carmen-in, por përfundon duke e vrarë ciganen në një skenë tragjike xhelozie dhe obsesioni.
1 nga 10/j.p/r.e/