Orkestra e RTSH mbjell pemë, Veliaj: Të japim kontributin për një Tiranë më të gjelbër

Fushatës së shtimit të hapësirave të gjelbërta në kryeqytet iu bashkua orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se orkestra në fakt i ngjan Tiranës, ku nëse të gjithë punojnë bashkë dhe mbështesin njëri-tjetrin, qyteti është më i mirë dhe ecën përpara.
“Ne duhet të jemi të gjithë të sinkronizuar, si një skuadër, dhe duhet të luajmë të gjithë në njëjtën kohë. Nëse njëri nuk performon, atëherë e gjithë orkestra ndjen mungesën e atij instrumenti. Është një metaforë shumë e bukur me këtë që bëjmë në qytet, ku jemi një skuadër që performojmë të gjithë bashkë, dhe sigurisht që jo të gjithë janë violinë e parë. Por, kur secili jep kontributin e tij, qoftë edhe një perkusion, është kyç për gjithë atë shfaqje. Pavarësisht se disa prej nesh ndoshta e kanë detyrën të jenë violinë e parë, pra të jenë përditë me mbjellje, të jenë përditë me studentët, të jenë përditë në mbrojtje të mjedisit, edhe të tjeret e kemi bërë tonën duke lënë një shenjë për qytetin. Nëse secili e ndjen veten pjesë të kësaj orkestre dhe bën pjesën e tij, atëherë mund të kemi një simfoni të muzikës së bukur të qytetit tonë,” tha Veliaj.
Nga qyteti Studenti, ku orkestra e RTSH-së mbolli pemë, Veliaj tha se kjo është një hapësirë që i është rikthyer studentëve.
Krye bashkiaku Veliaj tha se fushata e mbjelljes do të vijojë edhe gjatë muajit prill, ndërsa i ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të japin kontributin e tyre për një qytet më të gjelbër.
Gazetare: Heriselda Dyrmishi
/RTSH/