Eliminimi i Gentjan Bejtjas, vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar të vrasjes

Policia ka bërë të ditur se ka vendosur në pranga një shtetas që dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin ku vra Gentjan Bejtja pak ditë më parë në Fushë-Krujë.
“Në përfundim u arrestua në flagrancë shtetasi I. B., alias I. B., alias I. M., i datëlindjes 21.04.1983, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuara nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal. Po kështu ky shtetas është i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së shtetasit Gentjan Bejtja”, thuhet në njoftimin e saj policia.
Gjithashtu, policia ka ndaluar edhe një 30-vjeçar i cili ka krijuar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen ndaj Gentjan Bejtjas.
“U ndalua shtetasi E. H., i datëlindjes 30.07.1994, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal”, theksohet në njoftimin e policisë. Ndërsa shton se grupi i posaçëm hetimor “vazhdon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të autorëve të tjerë”.
Policia ka shpjeguar edhe dinamikën e ngjarjes sipas së cilës, autorët janë afruar tek banesa e Gentjan Bejtjas me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Më pas autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Nga këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, policia ka bërë të mundur “identifikimin e automjetit tip “Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit E. H., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi I. B., alias I. B., alias I. M., lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë”
“Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip Golf me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit E. H. dhe shoqërimin në ambientet e policisë.
Në vazhdim të veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e policisë edhe të shtetasit I. B., alias I. B., alias I. M.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit I. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG” shkruan në njoftimin e saj policia. Ndërsa shton se të gjitha provat e administruara i janë nënshtruar ekzaminimeve kriminalistike dhe janë siguruar elemente provash me perspektivë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.
/rtsh.al/