Orkestra e RTSH-së performon në panair, interpretohen meloditë e këngëve në vite dhe muzikë tradicionale

Ansambli i Harqeve të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar u bë pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, duke sjellë një performancë emocionuese me këngë ndër vite nga Festivali i Këngës dhe muzikë tradicionale shqiptare.
Vizitorët u ndalën të shijojnë interpretimin e muzikantëve që solli një atmosferë artistike.
Në këtë edicion të 31-të të Panairit Ndërkombëtar, Radio Televizioni Shqiptar është i pranishëm me një stendë të dedikuar për të prezantuar risitë, formatet dhe projektet më të fundit të transmetuesit publik.
“Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për tu prezantuar në panair. I jep një impakt të ri Orkestrës, që duhet të dalë, të njihet publiku më i gjerë me orkestrën”, tha drejtoresha e Orkestrës Simfonike, Blerta Ristani.
Ky panair është një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në vend, që këtë vit thekson zhvillimin ekonomik dhe social përmes inovacionit, teknologjisë, investimit dhe zhvillimit institucional.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/