E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ovacione për baletin “La Sylphide” në TKOB

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Duartrokitjet e zjarrta të publikut mbyllën natën e dytë të baletit magjik “La Sylphide”.

Mbrëmjen e djeshme ishin të tjerë balerinë të cilët shkëlqyen me performancën e tyre në skenën e TKOB-së. Në rolin e La Sylphide vallëzoi Eles Resuli, si Effie erdhi Jonida Qafmolla, James-in e interpretoi Anxhelo Muçollari, Madge u interpretua nga Alisa Gjoni. Ndërsa Orkestra Simfonike e TKOBAP u drejtua nga i mirënjohuri Gridi Kraja.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, Aulon Naçi, reagoi në rrjetet sociale për natën e shkuar duke e konsideruar magjike.

“Baleti “La Sylphide” dhuroi emocione të ngrohta plot ngjyra vjeshte. Salla e mbushur plot me artdashës duartrokiti me ovacione të mëdha trupën e baletit të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor” shkroi Naçi.

“La Sylphide”, një nga veprat më romantike të repertorit klasik botëror, është një histori dashurie e pamundur, mes një djali dhe një krijese fantazie. Historia, si një përrallë, zhvillohet mes realitetit e ëndrrës, shoqëruar nga një muzikë e magjishme dhe koreografi plot delikatesë.

Në Skocinë e vitit 1836, në një atmosferë të mbështjellë nga mjegulla dhe misteri, James, një djalë i ri skocez, është gati të martohet me Effie, por një krijesë nga pylli i shfaqet fillimisht në ëndërr dhe më pas në realitet, duke e magjepsur me bukurinë e saj.

Sonte, trupa e TKOBAP do të japë shfaqjen e fundit të “La Sylphide”.

1 nga 7

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›