E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ormeni: Kërkime shkencore për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt forumi akademik “Mbi Vlerësimin e Rrezikut dhe Menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore”.

Veprimtaria u çel nga akademiku asociuar Rrapo Ormeni, drejtues i Njësisë Kërkimore të Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive me praninë e Kryetarit të ASHSH-së, akad. Skënder Gjinushi.

Ormëni shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për bashkëpunimin e grupit kërkimor shkencor “Inxhinieria e strukturave dhe tërmeteve” brenda NJKGJGJ të ASHSH-së dhe për drejtuesin e grupit prof. Huseyin Biglin, si dhe për bashkëpunëtorët e ngushtë të departamentit të inxhinierisë së ndërtimit të Universitetit Epoka dhe “Komisionit të historisë dhe arkeologjisë” pranë Akademisë së Shkencave. Ai vlerësoi edhe bashkëpunimet e tjera me institucionet dhe njësitë kërkimore shkencore të kësaj fushe në vendin tonë, në Kosovë dhe Maqedoni.

Akad. asoc. Ormëni tha se realizimi i studimeve të tilla shkencore specifike dhe në nivel të lartë u arrit në saj të vizionit dhe hapjes së madhe që Asambleja, Kryesia dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, duke i dhënë kërkimit shkencor hapësirë për bashkëpunime të gjera me institutet kërkimore dhe njësitë kërkimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë.

Akad. Ormëni tha se trashëgimia kulturore është një nga aspektet më të rëndësishme në shoqëritë moderne, pasi bart vlera të shumta sociale dhe historike. Iniciativat për të menaxhuar rrezikshmërinë ndaj fatkeqësive është një hap i rëndësishëm për të siguruar që këto thesare të vazhdojnë të mbijetojnë dhe të ruhen për brezat e ardhshëm.

Akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, përshëndeti në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave ai theksoi se është detyra jonë e përbashkët që t’i restaurojmë, t’i ruajmë dhe t’i forcojmë këto pasuri të paçmueshme, për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm.

Me tej përshëndetën rektori i Universitetit Epoka prof. Ahmet Oztas, i cili theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Akademinë e Shkencave për rritjen e kërkimit shkencor.

Përshëndetën, gjithashtu, prof. Kemal Edip nga IZIIS, Maqedonia e Veriut dhe Isa Boletini e prof. Festim Kollevci nga Universiteti i Mitrovicës.

Më pas u bënë prezantimet e punimeve shkencore, gjatë të cilave u zhvilluan diskutime mbi metodologjitë novatore, si përdorimi i radarëve me depërtim në tokë për analiza jo-invazive, të cilat na pajisin me të dhëna kritike për menaxhimin e siteve të trashëgimisë.

U paraqit korniza gjithëpërfshirëse për vlerësimin dhe menaxhimin e praktikave specifike për restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, me raste studimi të detajuara për objekte të trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Theksi u vu mbi problemet e menaxhimit të keq dhe praktikave të restaurimit të pakualifikuar, duke bërë thirrje për reforma që të mbrohet trashëgimia jonë në mënyrë efektive, duke theksuar nevojën për përkushtim ndaj projekteve origjinale.

Studimet u përqendruan edhe mbi cenueshmëritë sizmike të trashëgimisë kulturore në zonat e ndjeshme ndaj tërmeteve.

Pjesëmarrësit në këtë forum e dhanë të qartë mesazhin për t’i çuar përpara njohuritë e fituara ne këtë forum shkencor, duke punuar së bashku për të siguruar qëndrueshmërinë e trashëgimisë sonë për brezat e ardhshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›